Policia në Irlandën e Veriut ka arrestuar dy adoleshentë në lidhje me vrasjen e një gazetareje, gjatë një proteste në qytetin Londonderry.

Të moshës 18 dhe 19 vjeç, të dy ata u arrestuan për vrasjen e gazetares Lyra McKee, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

29-vjeçarja ishte një yll në ngritje i gazetarisë investigative në vend. Ajo u qëllua dhe mbeti e vdekur, ndoshta nga një “plumb qorr” gjatë protestës së mbrëmjes së të enjtes.

  Irlandë, vritet një gazetare. Policia, informacione për sulme gjatë Pashkës

Policia tha se një grup i ri disident i “IRA”-s mund të ishte përgjegjës për këtë dhe e konsideroi sulmin një akt terrorist. Rreth 100 persona, mes të cilëve të rinj dhe gazetarë ishin në vendngjarje, kur plumbat u dëgjuan pak para mesnate.

Një dëshmitar tha se një person i armatosur kishte qëlluar pa dallim mbi turmën.

“IRA e re” është një grup i vogël republikanësh, që refuzojnë marrëveshjen e “së premtes së mirë” të vitit 1998, që shënoi kthesën drejt zgjidhjes politike, pas një dhune të hershme që iu mori jetën më shumë se 3.700 njerëzve.

Top Channel