Në kohët e vjetra, farkëtarët e rinj në Kreshevë, në qendër të Bosnje-Hercegovinës, duhej të dekoronin lëvozhgat e vezës me hekur, pa e thyer atë. Nëse ia dilnin mbanë, atëherë ata konsideroheshin mjeshtra.
Shekuj më vonë, Stjepan Biletiç po përpiqet jo pak të ruajë këtë trashëgimi, që ai do të donte ta shikonte të përfshirë edhe në listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s.
“Tradita e dekorimit të vezëve me hekur daton që në shekullin e XVIII. Veza e dekoruar analizohej më pas nga mjeshtrit. Nëse ajo kishte mbetur e paprekur, nëse lëvozhga nuk ishte dëmtuar, ata shkonin dhe përgëzonin nxënësin. Kjo do të thoshte që ai kishte arritur nivelin e tij. Kjo ishte diploma e tij, që e bënte një doktor në këtë profesion”, tha Stjepan Biletiç, zejtar.
Stjepan Biletiç po punon për të dekoruar vezë me një patkua kali. Ky, sipas tij, është simbol i lumturisë, ndërsa veza simbolizon fillimin e jetës. Pra, e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse dëshira për një jetë të lumtur.
Sipas Biletiç, kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bësh një miku, një fqinji, vajzës së vogël, bashkëshortes. Ndaj, ai i shton vezës edhe një zemër, e kjo është dhurata e përkryer për të shoqen.
Top Channel