Zjarri te Katedralja e Parisit mund të ketë qenë aksidental. Macron: Gjithçka për rindërtimin

16/04/2019 19:11

Zjarri masiv që përfshiu Katedralen “Notre Dame” në Paris, sipas gjasave është aksidental. Flakët vijuan përgjatë të gjithë natës dhe shkaktuan dëme të mëdha në strukturën gotike 800-vjeçare, duke bërë që maja e saj të shembet.

“Asgjë nuk sugjeron se ishte një akt vullnetar. Ne mbështesim teorinë e një aksidenti, ndërkohë që një ekip prej 50 personash janë angazhuar në një hetim për të zbuluar sesi filloi zjarri. Ky do të jetë një hetim i gjatë dhe kompleks”, tha Remy Heitz, prokuror i Parisit.

Zyra e prokurorit tha se policia kishte nisur të merrte në pyetje punëtorët e ndërtimit, që po kryenin rinovimin e parmakëve dhe ulluqeve në ndërtesë, pavarësisht se nga kontraktori thuhet se janë respektuar të gjitha rregullat.

Zyrtarët që hynë në ambientet e brendshme raportuan se, pavarësisht dëmeve të mëdha dhe disa dobësive, struktura kryesore e katedrales kishte shpëtuar. Stafi i Departamentit të Zjarrfikësve ka mundur po ashtu të evakuojë disa nga veprat e artit që ndodheshin brenda katedrales, me ato të dëmtuara që do të restaurohen në Muzeun e Luvrit, ndërkohë që veprat e tjera do të ruhen në ambientet e Bashkisë së Parisit.

Tani, sytë dhe mendjet janë kthyer te rindërtimi i “Notre Dame”-it. Presidenti francez, Emmanuel Macron premtoi se do të rindërtojë godinën historike, edhe nëse zjarri do të vazhdojë.

“Ne do ta rindërtojmë këtë katedrale, të gjithë bashkë, dhe është padyshim pjesë e fatit të vendit dhe projektit që ne kemi për vitet që do të vijnë. Kjo është ajo që presin francezët, sepse kjo është ajo çfarë historia jonë meriton”, tha Macron.

Një numër kompanish dhe manjatësh biznesi kanë premtuar deri më tani 600 milionë euro për rindërtim. 200 milionë euro janë premtuar nga familja Bettencourt Meyers, nga më të pasurat e Francës, trashëgimtarë të “L’Oreal”, e po aq edhe nga familja Arnault. Ndërsa miliarderi François-Henri Pinault dhe grupi francez “Total” kanë ofruar nga 100 milionë euro.

Oferta për ndihmë kanë ardhur nga i gjithë globi, me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, që iu kërkoi vendeve anëtare të veprojnë.

Top Channel