Ndërsa flakët konsumonin përpara syve të tyre një trashëgimi shekullore, me dhjetëra parizienë menduan të bënin të vetmen gjë që kishin në dorë në ato momente: të luteshin për shpëtimin e “ Zonjës tonë të Parisit”. Ndjesia e fortë e të bukurës dhe paqes që katedralja përcjell, i kapërcen kufijtë fetarë.

“Kjo shkon përtej katolicizmit, përtej besimit; ne ndajmë të njëjtën lidhje shpirtërore me Notre Dame sepse është një simbol, është një vend strehimi në historinë e Francës, është vendi ku përgjatë ekzistencës tonë jemi mbledhur së bashku në të mirë e në të keqe”, tha një prift në dioqezën e Versajës.

“Pamjet që pamë në internet, ishin sikur të kishin dalë nga ndonjë film. Erdha të shoh me sytë e mi se c`po ndodhte. Nuk jam besimtar, por kjo më preku shume”, tha një student maroken.

“Kjo ndërtesë, me gjithë madhështinë e saj, ka një domëthenie të jashtëzakonshme për Francën. Ta shikoje duke u shembur ashtu, ta shikoje sesa e brishtë dukej në ato çaste, ishte e dhimbshme”, tha një studente nga Argjentina.

Reagime pati në mbarë botën, dhe ndjenja që mbizotëronte mes tyre ishte ajo e tronditjes së thellë dhe mosbesimit.

Historiani Bernard Lecomte nuk arrinte dot ta besonte sesi rrënimi mund të kërcënonte kaq papritur atë që ka qenë simboli i Francës për gati një mijëvjeçar. Nëse Parisi është kulla Eiffel, u shpreh ai, atëherë Franca është Notre Dami; sepse i gjithë kombi ynë është e mishëruar në këtë monument.

Top Channel