Pranvera vjen me bollëkun stinor. Por pas këtij prodhimi qëndron një punë e lodhshme dhe e pashpërblyer. Një grup i Top Channel vizitoi serat e familjes Dervishi në fshatin Pezë Helmes, pjesë e Njësisë Administrative të Ndroqit.
Fatbardhën e gjejmë duke u marrë me fidanët e specave.
“I kam bërë vetë, dhe do t’i mbjell në arë. Unë punoj gjithë ditën deri sa ngryset”, thotë ajo.
Ngado të kthehesh kupton problemet e mëdha me të cilat hasen përditë fermerët.
“Sallatën siç e shikon e kemi hedhur se nuk shitet. 100 leke kilja kushton. 2 mijë lekë bën vendi në tregun e shumicës për një arkë. Askush nuk do t’ia dijë që nga farat, plehrat, punën, karburantin, rrugën, për asgjë”, sqaron Fatbardha Dervishi.
Ajo ka një familje të madhe.
“Duke u përpjekur jemi, por asgjë nuk fitojmë, sa më nxjerrë bukën e gojës. Nuk kemi ku të shkojmë, ndaj vazhdojmë të merremi me serat. Askush nuk do të dijë se çfarë bëhet me ne, çfarë hallesh kemi”, tregon Fatbardha.
Produktet përshkojnë një udhë të caktuar, e pikërisht këtë rrugë gjithë gropa përshkojnë prodhimet nga serat e Peze Helmësit deri në tezgat e qytetit e më pas në tryezat tona.
Top Channel