Spektakli ” E Diell” në ekranin e Top Channel ka rezervuar sot për shikuesit e tij një show të paparë!

Prezenca në studio e gjeniut të violinës, Olen Cesari, i cili rikthehet në Tiranë me koncertin e tij madhështor “Live in Tirana 2019”, do t`iu njohë me detajet e këtij koncerti, raportin e tij me detin, pijen dhe martesën!

E konsideruar si fenomeni muzikor i vitit 2018 në muzikën shqiptare të zhanrit rap, Tayna, vjen për herë të parë në “E Diell” për të shuar kureshtjen e të gjithëve për suksesin, famën, “diss”-et e famshme të kolegeve të saj, jetën private dhe planet e reja në muzikë. Pupacat i kanë përgatitur reperes “diss”-in e rradhës! Si do reagojë ajo?

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” këtë herë do të prezantohet nga një emër shumë i njohur për publikun shqiptar. Drejtoresha e TKOB-së Zana Çela do të zbulojë ekskluzivisht emrin e saj. Gjithashtu Çela do të ndajë momente nga jeta familjare e saj, ajo personale, ndryshimet e TKOB-së në funksion të personave me aftësi ndryshe si dhe ka dhënë fjalën që do këndojë!

Rubrika “Escape” do të udhëtojë në Meksikë. Tre vajza meksikane do të “çmendin” studion e “E Diell” me kuriozitete, kulinari, këngë e kërcime tradicionale meksikane.

Einxhel Shkira dhe shefi i kuzhinës Ervin Mahilaj, vihen në sfidë me njëri-tjetrin se cili prej tyre gatuan më mirë pjatën VIP duke përdorur si ingredient kryesor müslin. Në fund pasi t`i provojnë, moderatorët do të japin vendimin e tyre!

Keni përgatitur një darkë romantike dhe s`keni qirinj? “Gjira`s Style” iu sugjeron të përdorni lapustilin e zyrës në vend të qiriut. Por si? Ndiqni rubrikën deri në fund pasi do të habiteni edhe nga sugjerime të tjera.

Në “Made in Albania” shkolla profesionale “Ali Myftiu” do të tregojë sesi ta instaloni impiantin e gazit në makinat me benzinë, por jo vetëm!

Dy talente të vegjël në akobraci pjesë e “Cirkut Kombëtar”, trupa e baletit të “E Diell” dhe Fjoralba Ponari do të realizojnë perfomanca me shumë ritëm, dinamikë dhe pasion!
Për ata që janë të shqetësuar për nishanet klinika “Anassa” propozon një aparaturë te re për diagnostikimin e tyre ndërsa “Spitali Amerikan” ofron trajtimet më të fundit për kancerin e gjirit.
Mos harroni të qëndroni pranë telefonit pasi “Lotaria Kombëtare” mund të trokasë dhe t`iu sjellë shumë fat në kuletën tuaj.

Nuk ka më dilemë, “E Diell” është një “must” në opsionet tuaja!

Top Channel