Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange mund të përballet me një rihapje hetimi mbi akuzat për përdhunim në Suedi, zhvillim ky që vjen vetëm një ditë pasi 47-vjeçari, të cilit i ishte ofruar azil politik në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për 7 vite, u arrestua nga Policia Metropolitane.

Prokurorët suedezë thonë se po ekzaminojnë çështjen, pas kërkesës së avokates së viktimës së supozuar të akteve të pahijshme të Assange. Por, edhe Shtetet e Bashkuara duan ta ekstradojnë atë nga Britania e Madhe, pasi e akuzojnë atë për rolin e pretenduar në një prej rrjedhjeve më të mëdha të sekreteve qeveritare, gjatë vitit 2010.

I lindur në Australi, Assange përballet me akuzën për konspiracion për pirateri kompjuterike në SHBA, për shkak të publikimit të sekreteve qeveritare kryesisht në vitin 2010, vepër e cila mund të dënohet me deri në 5 vite burgim.

Avokatja Elizabeth Massi Fritz tha se “do të bënte gjithçka mundet” për të rihapur hetimit në Suedi. Assange kërkoi azil politik si refugjat në Ambasadën e Ekuadorit, të ndodhur në zonën Knightbridge, në vitin 2012, për të evituar pikërisht ekstradimin në Suedi ku ndiqej penalisht për akuza ngacmimesh seksuale. Por, qeveria e re e Ekuadorit tërhoqi azilin e ofruar dhe i bëri thirrje policisë britanike ta arrestonte atë gjatë së enjtes.

Pas prangosjes dramatike, Assange u dërgua në Gjykatën e Magjistratëve në Westminster, ku u shpall fajtor për shkelje të lirimit me kusht, akuzë britanike kjo. Ai kaloi natën e së enjtes në paraburgim dhe pritet të dënohet deri në 12 muaj burgim për këtë akuzë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për mbrojtjen e së drejtës së tij për një gjykim të drejtë, gjë që duhet respektuar edhe në procesin e mundshëm të ekstradimit.

Top Channel