Admir Nikaj apo Admir Murataj është grabitësi i vrarë të martën pas grabitjes në aeroportin e Rinasit.

Murataj, i cili gjatë jetës së tij ka përdorur edhe identitete të rreme, kërkohej edhe nga drejtësia greke, si i arratisur nga burgu i Trikallës 6 vjet më parë, ku ishte dënuar për vjedhje bankash me armë.

Pas arratisjes, u kthye në Shqipëri ku nisi një seri grabitjesh që kishin si objektiv bankat dhe transportimin e parave të tyre. Vjedhja e parë ka ndodhur në 3 dhjetor të 2015, në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afërsi të kryqëzimit të fshatrave Bërxullë dhe Domje, ku u vodhën paratë e një banke të nivelit të dytë.

Vjedhja e dytë ndodhi më 9 shkurt 2017, ku iu zu pritë një blindi që transportonte para’ në Rinas. Natyra e krimeve për të cilat ishte dënuar dhe mbi të gjitha metodat e vjedhjes që përdoreshin nga Murataj më pas në grabitje të cilave deri këtë të martë arriti t’u shpëtonte, e kishin bërë atë një individ me rrezikshmëri të lartë.

Pak kilometra më larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit ai u vra të martën, ndërsa në fytyrë mbante një maskë dhe në trup iu gjetën eksploziv dhe granata.

Pjesë nga emisioni i Top Story i realizuar më 20 Shkurt
Pas ngjarjes së Krrabës, e cila konsiderohet si grabitja shtetërore më e mistershme, vendi ka njohur me dhjetëra raste të tjera të rënda.

Ato që konsiderohen si ngjarjet të një shkalle rrezikshmërie mjaft të lartë janë grabitjet e armatosura të bankave.

Ky që shihni është Admir Nikaj Murataj dhe është një prej personave më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, por jo vetëm.

Murataj, njihet si person me rrezikshmëri të lartë dhe ka mbajtur plot 13 identitete të ndryshme. Ai përdorte edhe një pasaportë greke të falsifikuar me emrin Christos Papadias.

Në vitin 2013, emri i tij u bë mjaft i njohur si një prej 8 shqiptarëve që do të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë në Trikala të Greqisë. Ky moment, do të shënonte edhe nisjen e aktivitetit kriminal të tij në territoret shqiptare, ku mundi të futet ilegalisht dhe të qëndrojë i fshehur.

“Në informacionet që disponoj është personazh që ka njohje të forta në radhët e policisë dhe botës krimit. çka do të thotë në momentet e para ka arritur të largohet, ka pasur informacion”, tha për Top Story Klodiana Lala, gazetare kronike.

Fama e krijuar nga arratisja spektakolare në Greqi, e ndihmoi atë të fitojë reputacion në botën e krimit. Shumë shpejt, ai do të ideonte dhe do të krijonte një prej grupeve kriminale më të rrezikshme që do të mbahet mend për grabitjet më spektakolare të shumave monetare nga bankat.

Admiri, që njihet mes pjesëtarëve të grupit si “Adi Tropojani” apo “Patrioti”, ishte kreu i grupit që grabiste eskortat e blindëve me para në aksin Qafë Kashar-Rinas. Autoriteti i Admir Nikaj Muratajt, ishte aq i fortë sa takimi me të konsiderohej si privilegj nga ndihmësit dhe informatorët e grupit kriminal.

“E shikojn si personazh i ashpër, agresiv, është njeri që ndikon mbi ushtarët e tij dhe anëtarët kriminal”, tha për Top Story Klodiana Lala, gazetare kronike.

  Top Story/ Profil i grabitësit Admir Nikaj, Lala: është një personazh agresiv në botën e krimit

Top Channel