Pas ngjarjes së Krrabës, e cila konsiderohet si grabitja shtetërore më e mistershme, vendi ka njohur me dhjetëra raste të tjera të rënda. Ato që konsiderohen si ngjarjet të një shkalle rrezikshmërie mjaft të lartë janë grabitjet e armatosura të bankave.

Ky që shihni është Admir Nikaj dhe është një prej personave më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, por jo vetëm. Nikaj, njihet si person me rrezikshmëri të lartë dhe ka mbajtur plot 13 identitete të ndryshme. Ai përdorte edhe një pasaportë greke të falsifikuar me emrin Christos Papadias. Në vitin 2013, emri i tij u bë mjaft i njohur si një prej 8 shqiptarëve që do të arratiseshin nga burgu i sigurisë së lartë në Trikala të Greqisë. Ky moment, do të shënonte edhe nisjen e aktivitetit kriminal të tij në territoret shqiptare, ku mundi të futet ilegalisht dhe të qëndrojë i fshehur.

“Në informacionet që disponoj është personazh që ka njohje të forta në radhët e policisë dhe botës krimit. çka do të thotë në momentet e para ka arritur të largohet, ka pasur informacion”, tha për Top Story Klodiana Lala, gazetare kronike.

Fama e krijuar nga arratisja spektakolare në Greqi, e ndihmoi atë të fitojë reputacion në botën e krimit. Shumë shpejt, ai do të ideonte dhe do të krijonte një prej grupeve kriminale më të rrezikshme që do të mbahet mend për grabitjet më spektakolare të shumave monetare nga bankat.

Admiri, që njihet mes pjesëtarëve të grupit si “Adi Tropojani” apo “Patrioti”, ishte kreu i grupit që grabiste eskortat e blindëve me para në aksin Qafë Kashar-Rinas. Autoriteti i Admir Nikaj Muratajt, ishte aq i fortë sa takimi me të konsiderohej si privilegj nga ndihmësit dhe informatorët e grupit kriminal.

“E shikojn si personazh i ashpër, agresiv, është njeri që ndikon mbi ushtarët e tij dhe anëtarët kriminal”, tha për Top Story Klodiana Lala, gazetare kronike.

Top Channel