Personazhi i radhës në programin “Dua të të bëj të lumtur” natën e sotme ishte një nga burrneshat e fundit në Shqipëri. Ajo quhej Gjustina, por të gjithë e njihnin me emrin Duni. Qëkur kishte qenë e vogël Duni sillej si djalë, vishej si i tillë dhe shoqërohej me burra.
Në moshën 25-vjeçare, Duni kishte vendosur që të bëhëj burrneshë, të respektonte dhe të ndiqte rregullat, por nuk kishte bërë betimin e burrneshës. Familja e saj e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe kishin insistuar që ajo të martohej dhe të bëhej nënë. Duni nuk kishte pranuar që të martohej dhe kishte ndjekur rrugën e burrneshave.
Problemet ekonomike në familjen e Dunit ishin shtuar pas vdekjes së babait dhe ajo ishte kujdesur për motrat dhe vëllezërit. Për këtë arsye Valeriana, mbesa e Dunit kishte ardhur në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar hallën e saj për çdo sakrificë që ajo kishte bërë për ta. “Ti e di se sa e veçantë je për mua dhe të kam thirrur këtu për të të bërë të lumtur. Dua të të falenderoj në emër të të gjithëve për çdo sakrificë që ke bërë për ne. Ti për mua je nëna ime e dytë dhe të dua shumë po shumë!”
Në studio Duni rrëfeu se vështirësitë ekonomike e kishin detyruar të bëhej burrneshë. Sipas saj ajo nuk dëshironte që familja të vuante ato që Duni kishte vuajtur. “Unë e mbylla jetën time 25 vjeç që të ndihmoj nënën dhe familjen. Në ato kohë femrat ndiheshin të dobëta prandaj zgjodha këtë rrugë, tashmë kohërat kanë ndryshuar dhe femrat janë më të forta”, u shpreh Duni.
Top Channel