Shkolla e dizajnit “Bauhaus”, e cila ka ndryshuar mënyrën sesi arkitektë e dizajnerë në mbarë botën jetojnë, punojnë e ëndërrojnë për të ardhmen, e shënoi këtë javë 100-vjetorin e saj me prezantimin e muzeut të ri, ngarkuar politikisht.

E ngritur më 1 prill të 1919-s, gjatë periudhës së vështirë mes dy luftrave botërore, ajo ka ende fuqinë të frymëzojë, e ndoshta dhe të përçajë.

Përurimi i tempullit minimalist që strehon koleksionin më të vjetër të “Bauhaus”-it në botë vjen vetëm pak javë përpara zgjedhjeve europiane.

Muzeu i ri në qytetin lindor gjerman të Weimarit (Vajmarit) çel dyert për herë të parë pas 3 vitesh rikonstruksioni, duke ofruar kështu një vend të ri pelegrinazhi për admiruesit e arkitekturës, artit modern dhe parimit “Forma ndjek funksionin”.

“Vajmari përfaqëson qytetin klasik në Gjermani. Por unë besoj se, me këtë ndërtesë dhe të reja këtu në këtë lagje, me institucione të tjera që do të zhvillohen, them se është hedhur një hap tejet i rëndësishëm drejt së ardhmes për Vajmarin. Kjo më gëzon shumë”, tha Heike Hanada, arkitekte e muzeut.

Themelues dhe drejtor i “Bauhaus”-it ka qenë Walter Gropius, i cili ishte përgjegjës për arkitekturën, ndërsa piktura i ishte besuar piktorit në zë Paul Klee dhe të famshmit Wassily Kandinsky. Shkolla e famshme ekzistoi vetëm për 14 vite, por idealet e saj të unifikimit të artit dhe konfigurimit kanë ndikim të madh edhe sot, ndërsa popullariteti i produkteve ka mbetur i njëjti.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA