Fluturimi i parë publik i një mjeti autonom ajror, është zhvilluar nën objektivët e kamerave të shumta në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.

Taksia fluturuese, e prodhuar nga kompania kineze EHang dhe ajo austriake FACC, u testua para hapjes së festivalit 4GAMECHANGERS, që do të mbahet në kryeqytetin austriak në datat 9-11 prill. Bëhet fjalë për një festival ndërkombëtar digjital, për ndikuesit, vizionarët, ata që do të ndryshojnë të ardhmen…

“Në thelb, ky mjet do të ofrojë një transport shumë të besueshëm nga një destinacion në tjetrin, brenda një kohe të shkurtër. Nëse do të udhëtosh në rrugë, një udhëtim 10-minutësh mund ta bësh edhe për një orë apo një orë e gjysmë, ndërsa me taksinë fluturuese vonesa nuk konceptohet”, tha Robert Machtlinger, nga kompania FACC.

Të parët që u ngjitën në taksinë fluturuese ishin gazetarët dhe kjo u bë me qëllim që të popullarizohet kjo teknologji mes autoriteteve dhe përdoruesve të mundshëm.

“Ka disa avantazhe; para së gjithash është autonome, pra është dizajnuar dhe prodhuar për njerëz normalë, që nuk duhet të kenë një patentë piloti, që nuk e kanë idenë se si fluturohet. Së dyti, është ekstremisht e sigurt”, u shpreh Derrick Xiong, nga kompania kineze EHang.

Sipas prodhuesve, sfida e madhe është infrastruktura dhe rregullat, si do të niset mjeti, si do të certifikohet, si do të koordinohen, etj, por gjithçka është lehtësisht e rregullueshme. Ata duan të nisin prodhimin në fund të vitit 2019, ndërkohë që rreth 300 prej këtyre mjeteve janë shitur tashmë dhe pas prodhimit do t’u shpërndahen porositësve.

Top Channel