Mijëra besimtarë vërshuan në një pallat të Mianmarit, ku shpërthenin dritat e ngjyrat, për të kërcyer, kënduar dhe për t’i bërë respektet e fundit një murgu mjaft popullor në vend.

Kjo nuk ishte një ceremoni e zakonshme mortore. Në fakt, më shumë i ngjasonte një festimi shumëngjyrësh.

Murgu 48-vjeçar, Kay Lar Tha ndërroi jetë vitin e kaluar nga leuçemia. Trupi i tij u ruajt për 9 muaj, koha që iu desh ndjekësve të tij të mblidhnin 80 mijë dollarët e nevojshëm për ceremoninë luksoze të kremimit.

Një shumë e tillë konsiderohet një pasuri e vërtetë në njërin prej vendeve më të varfra të Azisë, ku një e treta e popullsisë jeton në skamje. Pelegrinët ishin veshur me rrobat e tyre më të mira për të bërë homazhet e tyre në pallatin 33 mijë dollarësh, të ndërtuar enkas për këtë rast me dru bambuje.

Për 7 ditë, njerëzit kanë vizituar pallatin, ku trupi i murgut qëndroi në një arkëmort të hapur, fytyra e tij ishte mbuluar me një maskë, ndërsa veshjet ishin në ngjyrë të kuqe të fortë, me qëndisma floriri.

Kremtimet e arritën pikën e tyre kulmore në kohën kur arkivoli u dërgua në dhomën e kremimit, në ish-manastirin e 48-vjeçarit. Momenti i djegies së trupit u shoqërua me lëshimin e qindra fenerëve kinezë e me fishekzjarrë.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel