Nga Rrajca e Prrenjasit, kryeministri Rama ka bërë prezantimin e programit të tretë të furnizimit me ujë të pijshëm në zonat rurale, një investim që bëhet në bashkëpunim me Bankën gjermane të Zhvillimit, “KfW”.
Në prani të ambasadores gjermane Susanne Schutz, ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, dhe i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, Rama tha se pas një viti kjo zonë do të ketë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë të pijshëm.
“Pas një viti kjo zonë do të ketë 24 orë furnizim me ujë të pijshëm. Është shumë e rëndësishme që jo thjesht të investojmë, por të thellojmë dhe të përmirësojmë rezultatet e Reformës së Ujit. Sa më mirë të jepet shërbimi, aq më të gatshëm janë njerëzit për të paguar rregullisht. Nëse nuk paguajnë, do ta kemi të vështirë të bëjmë investime dhe të japim shërbim perfekt. Fondet shkojnë gjithmonë aty ku ka konsumatorë dhe klientë të rregullt, e jo aty ku njerëzit nuk duan dhe nuk pranojnë të paguajnë. Çështja e pagesës është çështje qytetarie dhe e respektimit të ligjit, e jo çështje varfërie/pasurie. Këtu njerëzit paguajnë, edhe pse nuk janë të pasur”, deklaroi kryeministri Rama.
Duke vënë në dukje mungesën e kryebashkiakes së Prrenjasit, Miranda Rira, për një arsye të gëzueshme – siç tha kryeministri, – Rama e uroi për beben e sapolindur, por tha se qeveria “do të bëjë gjithçka mundet për t’i ofruar asaj kushtet e nevojshme për përkujdesje ndaj foshnjes, pas 30 qershorit”.
Top Channel