Për më shumë se dy orë mbrëmjen e kësaj të diele, banorët e lagjes “10 korriku” në Vlorë përjetuan panik, pasi në rrugën kryesore u konstatua një sasi lënde plasëse e aktivizuar, e madje e lidhur me një aparat telefoni celular.

Pakoja është vënë re nga kalimtarët, që lajmëruan më pas forcat e policisë. Nga vendngjarja mbërritën shpejt pamjet që tregonin automjetet e policisë, shiritat e verdhë që nuk lejonin banorët të kalonin përtej tyre për shkaqe sigurie, ndërsa të gjithë ishin në pritje të ekipeve të specializuara për shpërthim të kontrolluar të pakove të dyshimta, nga kryeqyteti.

Një segment prej rreth 500 metrash i rrugës u bllokua gjithashtu për qarkullimin e automjeteve. Raportimet paraprake flasin se lënda eksplozive mund të jetë hedhur nga ndonjë automjet në lëvizje, por deri më tani nuk ka të dhëna konkrete.

Ndërkohë, një ekip hetimor po merret me procedurat për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ende nuk dihen personat që kanë pasur këtë sasi lëndë plasëse me vete, sikurse mbetet enigmë edhe objektivi. Megjithatë, bëhet e ditur se policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, për të identifikuar se nga cili mjet mund të ketë rënë pakoja me lëndën e dyshimtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA