Veliaj për mbjelljen e pemëve: Jemi pranë rekordit tonë

25/03/2019 18:15

Pjesa jugore e Parkut të Liqenit Artificial po shndërrohet tanimë si një ndër zonat më të frekuentuara nga qytetarët.

Bashkia e Tiranës ka përqendruar atje aksionin e mbjelljes së pemëve, të cilit tanimë i janë bashkuar dhjetra qytetarë e biznese.

“Pavarësisht nëse dikush punon në privat dhe në fakt, bën bilancin e biznesit të vet, por në fund fare të gjithë duhet të bëjmë bilancin e Tiranës dhe kur bilanci i Tiranës del pozitiv kemi fituar të gjithë. Sot jam shumë i lumtur që na janë bashkuar shumë kompani. Jemi afër rekordit tonë, kemi edhe 2-3 javë derisa ta thyejmë këtë rekord, por megjithatë them se kur një kompani e kupton që bilanci i Tiranës është po aq i rëndësishëm sa bilanci i biznesit të vet, do të thotë që kemi arritur një stad tjetër zhvillimi”, deklaroi Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi mbështetjen e qytetarëve në çdo punë apo projekt të bashkisë kur dhe theksoi se sado e përkushtuar të jetë ai dhe administrata që ai drejton, nuk mund të punojnë vetëm nëse Tirana nuk shihet si familje e madhe e përbashkët nga të gjithë.

Top Channel