Jose Mourinhos i hanë duart e duket se mezi pret të rikthehet të drejtojë në një turne të veçantë, siç është ai i Champions League.
Edhe pse prej pak kohësh ka marrë rolin e opinionistit, duket se dëshira nuk i mungon ende të përpilojë skicat e stërvitjes për të përgatitur një përballje nga më të rëndësishmet si ato në Champions, nga ato që i ka luajtur shpesh dhe thuajse po aq shpesh edhe i ka fituar.
Në një intervistë të fundit të dhënë për “France Press”, “Special One” merr shkas nga një pyetje mbi Messin dhe Cristiano Ronaldon, për të bërë profecinë e tij mbi atë që do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
“Të gjithë flasin për Ronaldon e Messin, ndërsa unë preferoj të flas për Juventusin dhe Barcelonën. Di që bota fokusohet më shumë tek individualitetet, ndërsa unë do të jem gjithmonë një trajner futbolli dhe futbolli vazhdon të jetë një sport kolektiv. Juve dhe Barça janë dy pretendentet kryesore për të fituar Championsin këtë vit, edhe pse anglezet janë të forta, ndërsa surprizat janë Ajaxi dhe Porto”, thotë Mourinho.
Por përse i sheh Juven dhe Barçën si pretendente?
“Janë dy skuadra që kanë eksperiencë, talent dhe nga një lojtar special secila. Normalisht, ato skuadra që kanë në gjirin e tyre lojtarë specialë të këtij niveli, rezultojnë të bëhen më të mirat”, tha portugezi.
Top Channel