Pasi të mbaroni drekën, rehatohuni në divan dhe zgjidhni “E Diell”! Do të argëtoheni pafund….

Ora 15.15 e çdo të diele tanimë për shikuesit e Top Channel është shndërruar në një fashë orari të mezipritur. Spektakli “E Diell” sjell personazhet VIP më të kërkuar të momentit duke nxjerrë në pah anën e tyre familjare përmes fotove, videove, momenteve emocionuese nga karriera e tyre ndër vite, të qeshura dhe padiskutim shumë emocion.

Të ftuarit e puntatës së sotme, NRG Band & Marjana Kondi premtojnë jo vetëm ritëm, muzikë e humor, por dhe detaje të pathëna më parë nga jeta e tyre personale. Marjana Kondi do të bëjë një audicion për të gjetur një “Nafije” të re për dybekun e famshëm të saj. Do e gjejë thoni ju? “Ecape” këtë herë do të na çojë në Argjentinë, por kujdes se aty do ketë dhe surpriza për stafin.

“Gjira’s Style” do të bëjë 6 kombinime për meshkuj në stile të ndryshme që as ju vetë nuk i kishit menduar ndërsa Fjoralba Ponari do të performojë së bashku me Klinti Çollakun superhitin e momentit “Shallow”. Nuk kemi mbaruar! “Portalosfera” do të rikthejë në vëmendje diktimin që bëhej dikur në shkolla. Si do dalin nxënësit e “E Diell”?

Syzet inteligjente dhe jo vetëm do të prezantohen sot në “Made in Albania” për t’u ardhur në ndihmë të verbërve. Programi maratonë prej afro 3 orësh, do të vazhdojë me numra specialë baleti & rubrika të tjera tejet interesante si “Protagonist Ndryshe” ku fokusi është tek personat me nevoja të veçanta, apo videove sensibilizuese që do t’iu japin shikuesve këshilla praktike në kushte shtëpiake. Po Lali & Luli, dy pupacat karizmatikë çfarë kanë përgatitur për të ftuarit?

Për të gjithë ata që e konsiderojnë veten me fat, sot kanë shansin të fitojnë shuma të mëdha te Lotaria Kombëtare vetëm duke gërvishtur biletat e duke gjetur kombinimet e duhura! Kush do të jenë fatlumët?

Top Channel