Dashuria për jetën dhe forca për të vazhduar përpara ishin në qendër të historisë që mbylli puntatën e kësaj mbrëmjeje të programit “Dua të të bëj të lumtur”. Kjo ishte historia e Lazrit, i cili kishte mbi dy dekada që ishte i lidhur pas një karrigeje me rrota.

Vështirësitë ekonomike e kishin detyruar atë që të emigronte që në moshë të re. Fatkeqësisht duke punuar ai kishte humbur ekuilibrin dhe kishte rënë nga një lartësi e madhe, si pasojë, Lazri kishte humbur aftësinë për të ecur.

Programit “Dua të të bëj të lumtur” i ishte drejtuar Gazmendi, vëllai i Lazrit dhe Martinja, kunata e tij për t’i dhënë atij një mesazh. “Ne jemi sot këtu për të të bërë sadopak të lumtur. Ti je një vëlla i mrekullueshëm dhe do të jesh pjesë e jetës sonë përgjithmonë! Faleminderit që i do fëmijët tanë sikur të ishin fëmijët e tu.”

Për t’i dhënë një mesazh kurajoje dhe për ta bërë sadopak të lumtur Lazrin, moderatorja Arbana Osmani kishte ftuar një nga ikonat e Top Channel, moderatorin e famshëm, Alban Dudushin. “Në ka diçka të jashtëzakonshme është fuqia që ka gjithsecili brenda nesh”,- ishte mesazhi i Albanit për Lazrin.

Surpriza që programi kishte rezervuar për Lazrin ishte karrigia elektrike me rrota që u mundësua nga Fondacioni “Golden Eagle”.

Top Channel