Zhvillimet e fundit në Shqipëri në këndvështrimin e Bashkimit Europian shikohen si destabilitet politik. Ky është konkluzioni që dha nga Tirana drejtori për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Christian Danielsson.
“Është për të ardhur keq që sot vendi ndeshet dhe është i mbërthyer nga pasiguria dhe mospasja e një stabiliteti politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të marrin vendime të përgjegjshme, që do ta mundësojnë Shqipërinë për të vijuar me reformat”, tha Danielsson.
Gjatë konferencës për shtyp, zoti Danielsson tregoi se çfarë i kishte kërkuar liderëve të opozitës në takimin që pati me ta: “Në takimet e mia sot unë isha shumë i qartë. Unë nënvizova se vendimi deputetëve të opozitës per të lënë mandatet në bllok minojnë rrugën e Shqipërisë në integrimin europian në mënyrë serioze. Pasiguria duhet të tejkalohet pasi është një çështje emergjente. Duhet të rikthehet normaliteti demokratik jetës politike. Parlamenti është themeli i shtetit dhe motorri i çdo demokracie serioze, ku duhet diskutuar të gjitha pikëpamjet e ndryshme për reformat dhe duhet të krijohen kushtet për një dialog konstruktiv në Parlament. A kam dëgjuar unë sot ndonjë sinjal që do të çonte tek fundi bojkotit? Jo, unë nuk kam dëgjuar”.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha: “Kemi shprehur vendosmërinë tonë që jo vetëm të largohet Rama, por të shembet ky sistem. Hetim i plotë i dosjes 339, hetim i plotë i dosjes 184 dhe çuarja para përgjegjësisë penale i politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar”.
Top Channel pyeti zotin Danielsson se çfarë dëmi sjell kjo situatë politike në Shqipëri kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në qershor, kur Këshilli i Ministrave të BE-së do të diskutojë nëse Shqipëria i përmbush standardet për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Nuk është aspak e shëndetshme për procesin këtu që opozita nuk është në Parlament dhe unë sot ia bëra shumë të qartë opozitës. Përsa i përket sa bindëse duhet të jetë Shqipëria për mbledhjen e qeshorit, kjo lidhet me vijimin e luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, përfshi reformën në drejtësi. Ne jemi në një proces monitorimi nga afër dhe do të prezantojmë një raport të qenësishëm që do të jetë i rëndësishëm”, tha Danielsson.
Top Channel