Ajaxi bëri surprizën e madhe mbrëmjen e sotme në Ligën e Kampionëve, duke fituar me rezultatin 1-4 në “Santiago Bernabeu” dhe duke nxjerrë jashtë kompeticionit Realin e Madridit.

Tre herë kampionët radhazi në Champions, dështuan në mënyrë të turpshme për të mbrojtur titullin, pasi panë t’u përmbysej edhe avantazhi 1-2 i ndeshjes së parë në Amsterdam.

Ziyech dhe Neves shënuan shpejt për holandezët, ndërsa trajneri Solari u detyrua të bëjë llogaritë edhe me dëmtimet e Lucas dhe Vinicius, që lanë fushën e lojës brenda pjesës së parë.

Në minutën e 62-të ishte Tadiç që shënoi golin e tretë për holandezët, por Reali reagoi dhe rindezi shpresat në minutën e 70′ me anë të Asensios.
Megjithatë, vetëm dy minuta më pas ishte Schone që shënoi një gol spektakolar me një goditje dënimi në pozicion të prirët me portën, duke vulosur një kualifikim gati-gati të pabesueshëm të Ajaxit.

Nga ana tjetër, Reali mbyll një javë të tmerrshme, pasi pëson 3 humbje radhazi në “Santiago Bernabeu”, të cilat e nxorrën nga lufta nga të gjithë kompeticionet ku ishin në garë.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Tottenhami arriti të fitojë 0-1 ndaj Borussias së Dortmundit, falë një goli të shënuar nga kapiteni Harry Kane.

Gjithsesi vlen të theksohet se londinezët vinin të qetë në këtë transfertë, pasi kishin fituar me rezultatin e thellë 3-0 në ndeshjen e parë në “Wembley”.

FOTO GALERI
13/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA