Mesazh Bashës: Kur do flasim? Premtimi i Ramës në Samitin e Diasporës: Vota e emigrantëve do të bëhet

01/03/2019 14:16

Kryeministri Rama zgjodhi Samitin e dytë të Diasporës, të mbajtur në Tiranë, për t’i dërguar një ftesë për dialog kryedemokratit Basha, i cili një ditë më parë kishte refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin se, kreu i qeverisë po përdorte si fasadë shqiptarët jashtë Atdheut.

“Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar dhe nuk janë këtu, unë iu them vetëm një gjë: kur do flasim?”, tha Rama.

Rama hoqi një paralele mes konflikteve të brendshme politike në Kosovë dhe atyre në Shqipëri, duke nënvizuar leksionet që sjell historia e shqiptarëve.

  Rama: Sfidë historike për Kosovën. Shqip në Maqedoninë e Veriut

“Askush që flet shqip s’duhet të guxojë që në gjuhën shqipe t’i thotë një tjetër shqiptari, që flet po shqip, që ‘unë jam patrioti’ dhe ‘ti je tradhtari’, kur në gjuhë të huaj e kthen vendin tënd në mish për top për hesapet e tua. Sa herë shqiptarët kanë bërë këtë, ka humbur Shqipëria dhe s’ka fituar askush. Ata që e kanë bërë këtë i ka mbuluar me turp historia. Por kur mbulon me turp historia është shumë vonë”, deklaroi Rama.

Nga Samiti i Diasporës, Rama pohoi se mazhoranca e majtë nuk tërhiqet nga projekti për votën e emigrantëve, duke shprehur gatishmërinë që këtë ta miratojë edhe pa konsensusin e opozitës.

“Mundësinë tuaj për ta votuar. Ka vetëm dy rrugë, o do ta bëjmë, o do ta bëjmë. Unë uroj që ta bëjmë të gjithë së bashku me konsensus. Nëse nuk do të mundemi ta bëjmë me konsensus do ta bëjmë edhe pa konsensus”, u shpreh Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA