Anxhela Çikopano në Soirée: Njerëzit kujtonin se isha e droguar kur luaja ‘Unë, ti dhe Kasandra’

27/02/2019 22:25

Mbrëmja e kësaj të mërkure në Soirée, në Top Channel solli në vëmendje të gjitha këngët, të gjitha filmat a serialet shqiptarë që kanë pasur në vetvete një kauzë të rëndësishme sociale.

Një nga serialet më të njohura shqiptarë, dhe kjo për tematikën që trajtonte, “Unë, ti dhe Kasandra” u bë temë diskutimi në “Soirée”.

Për të folur për këtë ishte edhe aktorja kryesore e këtij seriali, Anxhela Çikopano, e cila tregoi edhe impaktin sipas saj të të gjithë projektit.

“Mbaj mend në atë kohë, prindërit e atij brezi nuk e shihnin serialin se thonin: ‘Aty ça nuk bëhet’. Në parkun Rinia asokohe, kishte edhe të mira edhe të këqija. Çfarë u bë në Amerikë për dekada, në parkun Rinia u bë për 2-3 vite; përdorim droge, dashuri, njohje etj”, – tregoi Anxhela.

Nga ana tjetër, aktorja tregoi edhe fakt shumë interesant, se si njerëzit kujtonin se ajo ishte me të vërtetë e droguar, ashtu si edhe në film.

“Unë kam pasur mamin e një shoqes sime të ngushtë, e cila kujtonte se unë isha me të vërtetë e droguar”, – përfundoi Çikopano.

Top Channel