“Fiks Fare”, doktori merr 30 mijë lekë ryshfet për t’i dhënë “Kemp”-in një të paralizuari

18/02/2019 20:42

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në shëndetësi, ku një doktor në qytetin e Gramshit ka marrë 30 mijë lekë ryshfet për t’i dhënë “Kemp”-in një të paralizuari.

Me zë dhe figurë, emisioni investigativ faktoi se doktori neurolog, Çaush Zogu mori ryshfetin dhe i premtoi djalit të të paralizuarit se do t’i plotësonte dokumentet.

I moshuari është prej 6 muajsh në gjendje të rëndë. Ai komunikon me gjeste me familjarët. Doktori neurolog i Gramshit, Çaush Zogu e pranon se pacienti është në gjendje të rëndë, e duke përfituar nga kjo situatë, i kërkon djalit të tij 30 mijë lekë vetëm për të shpejtuar dokumentet në Tiranë dhe Elbasan.

“Unë kam babanë të paralizuar, ka 6 muaj. E kam sjell në Spitalin e Gramshit, të gjitha ilaçet i kam blerë vet. Nuk kam mundësi që t’i blej. Më kanë thënë që e ka goditje nga stresi. I ka kapur pjesën e djathtë të trurit. Madje komunikon me shenja, nuk reagon fare. E marrim me barrelë që e çojmë për vizitë”, thotë qytetari.

Ai pohon se ka bërë dokumentet në shtator të vitit 2018 dhe pa mbushur muajin i erdhi përgjigje negative.

“Bëra letrat me doktor Çaush Zogun. Ky doktor punon në Spitalin e Gramshit, është neurolog. Filloi prapë letrat. Më kërkoi lekë. Donte 30 mijë lekë. Në atë kohë nuk kisha. Më la dy javë kohë që ta gjeja këtë shumë. Lekët i kam marrë borxh, pasi vet nuk kam. Unë jam i papunë, jetojmë vetëm me 4.800 lekë asistencë dhe 10 mijë lekë pension të babait. Por, atij as për ilaçe nuk i dalin. Po buka, po gjella? Ja kam sjell çunin për vizitë, si t’ia bëj vizitën? S’kam lekë. Ne jemi 5 vetë; unë, gruaja, dy fëmijë dhe babai”, pohon qytetari.

Ai tregon vështirësitë me një baba të sëmurë.

“Unë s’kam mundësi që ta sjell edhe për vizitë, se rruga do 2.500 lekë. Ambulanca prej 5-6 muajsh njëherë më ka ardhur. Herën e parë doktori më tha e fiton ‘Kemp’-in dhe më tha se e ka të sigurtë. Herën e parë nuk më kërkoi lekë. Herën e dytë më tha do të më ndihmosh. I thashë si është ndihma. Ma kërkoi shumën e saktë, 30 mijë lekë. Më tha se donte 30 mijë lekë që të shkonte në Tiranë. Unë kërkoj ndihmë. Dua të drejtën, ta di që ky e fiton këtë ‘Kemp’, se këto lekë që kam marrë borxh duhen kthyer. Unë s’kam mundësi t’i kthej. Nuk janë 30 mijë, janë më shumë se 30 mijë”, përfundon qytetari.

Më pas, qytetari shkon në Poliklinikë dhe bisedon me doktorin për shumën e lekëve. Doktori i thotë se me 30 mijë lekë mbaron puna dhe se babai i tij e fiton ‘Kemp’-in. Qytetari i paguan 30 mijë lekët dhe, pas dhënies së lekëve, qytetari duhet të shkojë një ditë tjetër që të marrë edhe konfirmimin nëse është pranuar apo jo ‘Kemp’-i.

“E dy e gjysmë (25 mijë lekë). Edhe atë që të thashë që e kam bërë, ma uli ai mua. Nga 120, ma bëri 70. Fitova një 50-she të atij. Kështu një 70-she. Po më dhe një kafe mua për rrugën mirë, s’më dhe hiç”, i thotë doktori qytetarit.

Ky i fundit e pyet nëse është e sigurtë.

“E do shqip ti tani! Fillon që nga data që ashtu. Një, e dyta vete rreth 40 mijë lekë çdo muaj. Ti quhesh i siguruar”, i thotë ai.

Por, pavarësisht se qytetari i dha lekët për “Kemp”-in që meriton babai, ai zvarritet nga doktori, pasi edhe sot e kësaj dite, babai i tij dergjet në shtrat dhe pa kurrfarë ndihme.

BISEDË ME DOKTORIN CAUSH ZOGU

Qytetari – Ça bërë mirë?
Doktori – Pse ke dalë sot ti ëë?
Qytetari – Unë?
Doktori – Eee.
Qytetari – Unë dola sa duhen?
Doktori – Unë do iki pasnesër …
Qytetari – E po sa të ashu… Që duhet të ma thuash kshu, sepse unë ato që kam mezi i kam gjetur.
Doktori – Qartë, qartë. E dy e gjysëm (250 mijë lekë) Edhe atë që të thashë që e kam bërë, ma uli ai mua. Nga 120, ma bëri 70. Fitova një 50-çe të atij. Kështu një 70-çe. Po më dhe një kafe mua për rrugën mirë, s’më dhe hiç.
Qytetari – Me një fjalë…
Doktori – Se s’kam dhe vetë, jam bërrnut fare.
Qytetari – Jo, jo e ke parasysh, thuaje vetë. Se unë sa kam gjetur, 300 …
Doktori – Aty vete ajo, për mua vete 300!
Qytetari – 300?
Doktori – Po vete, do iki pasnesër. Apo i ke me vete tani?
Qytetari – Po jo, unë prandaj kam ardhur se …
Doktori – Po mirë, mirë. Se do iki pasnesër.
Qytetari – Po është e sigurtë kjo që…?
Doktori – Është e sigurtë, e do shqip ti tashti! Fillon që nga data që ashtu. Një, e dyta vete rreth te 400 mijë lekëshi çdo muaj. Ti quhesh i siguruar.
Qytetari – Po.
Doktori – Prandaj duhet të kemi çik kontakte të shpeshta për të parë ecurinë e tij. Do një çik siguri më shumë kjo punë them.
Qytetari – Po atë them unë, të jetë çik e sigurtë se dhe unë i paguaj ato lekë. Se …
Doktori – Po s’është asnjë gjë.
Qytetari – Se i kam marrë borxh, i kam marrë borxh. Që të laj borxhin, duhet ta di të sigurt.
Doktori – Imë, ai borxhi s’është asnjë gjë para asaj që merr.
Qytetari – Po, unë po t’i marr s’e kam problem, po për momentin kam ngelur…
Doktori – Këto bën që ta marrësh. Se kjo ka një gjë, duhet ta mënjanojmë nga Task-Forca. Se po u mënjanua nga Task-Forca, jo tre muaj, jo gjashtë muaj. Duhet t’a shmangim nga linja e Task-Forcës, paguaj njëherë ato, që të mos e fusim në atë radhën e tyre. Ta kaloj jashtë radhe, mos të jetë në radhë me të tjerët.

Qytetari – (Nxjerr lekët dhe i numëron).
Doktori – Jo, lëri. Numëroji kështu, mos i hap.
Qytetari – 50, 100, 150, 200, 250, 300! Në rregull?
Doktori – Në rregull!
Qytetari – Ato të tjerat, të gjej të tjerat, t’i jap?
Doktori – Po më dhe’, po s’më dhe’ s’mërzitem se kam aq respekt për …
Qytetari – Jo, re. Unë i thash më shumë, po kaq ashtu…
Doktori – Hiç asnjë gjë, pasnesër e ke të, të… Biles, jo pasnesër, ti do të vish ditën e shtunë që kur do bëhet kjo punë. Biles marr dhe garancinë kur do bëhet. Dakort?
Qytetari – Po, dakort!
Doktori – Mirupafshim!

TAKIMI I DYTË

Qytetari – Erdha se më the për të shtunën.
Doktori – Domethënë, është rrugës problemi, ka vajtur deri në Tiranë.
Qytetari – Po për ashtu, për të çuar babin?
Doktori – Ku?! Jo, jo. Po të bëhet ajo… Unë kam bërë dhe atë që duhet ta kalojë jashtë. Se po ta kaloj drejtpërdrejt, ishte pirgu atje, do tre muaj e kusur. Domethënë, më shumë se tre muaj. Kemi punuar që të paktën 1 muaj e gjysëm kohë gjithsej. Qesh unë ditën e mërkurë, pastaj edhe të enjten, takova atë përgjegjësin e Shërbimit Social të Elbasanit dhe kështu e vendosëm, jo më shumë se 1 muaj e gjysëm.
Qytetari – Po është puna që të bëhet.
Doktori – Edhe koha ka rëndësi.
Qytetari – Po mirë ajo dihet re, për mua sa më shpejt aq më mirë.
Doktori – Në datën 20 kanë ikur letrat, në 22 nëntor, kështu që nga java e parë e janarit të jetë këtu prezent dosja. Se bëra gjithë atë sakrificë, ishte ngricë, ishte dreq. Kështu që kam sakrifikuar. Kur jam kthyer atë ditë natën, kam rrezikuar kokën se kishte filluar ngrica në orën 11 e gjysëm e natës. Ta dhashë këtë informacion për të ditur ti. Mirë?
Qytetari – Mirupafshim

PAS DISA DITËSH

Qytetari – Çkemi, mirë?
Punonjësja – Iku dhe s’vjen sot.
Qytetari – S’vjen sot ai?!
Punonjësja – Ncnc, s’vjen.
Qytetari – Ka ikur në Tiranë?
Punonjësja – Erdhi, maksimumi 10 minuta s’i mbushi dhe iku. S’ka dalë akoma?
Qytetari – S’ka dalë, ai më tha në datën 5 dalin. Je i sigurtë më tha.
Punonjësja – S’dimë gjë!

BISEDË TELEFONIKE ME DR. ÇAUSH ZOGAJ

Qytetari – Këtu te komuna pyeta nuk kanë ardhur.
Doktori – Jam në Tiranë vetë fizikisht. Kam 1 muaj e gjysëm që kam mbaruar punë të gjithë. Prandaj, diku ka ngecur kjo punë. Është e sigurtë ajo që është bërë sepse kjo ka 1 muaj e gjysëm që ka qenë në Tiranë dosja. Diku flenë aty ato, ose janë spostuar. Njërit i kishte mbetur 6 muaj te Bashkia e Elbasanit, flinte gjumë atje.
Qytetari – Mund të vinë edhe në bashki?
Doktori – Do t’i them unë asaj çupës që të lëvizi një çik se ato rrinë sikur do ja bjenë aty ata.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel