Erl Murati: Dhuna në protestë, e papranueshme. Shqiptarët dinë të bëjnë diferencën e politikës

15/02/2019 16:29

I ftuari i kësaj të premteje në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte Erl Murati, kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare”, për të bërë një rezyme të situatës para protestës, por edhe atë se çfarë pritet të ndodhë në protestën e së shtunës të opozitës, e shumëpërfolur prej ditësh.

Si vlerësohet situata momentale, nga këndvështrimi i gazetarit me eksperiencë që ka parë shumë ngjarje të ngjashme, si ajo e nesërmja?

“Protesta në përgjithësi kuptohet që është kulmimi i një lloj pakënaqësie popullore në rritje, që vjen në këtë prag mesmandati të Qeverisë ‘Rama 2’. Ky lloj kulminacioni i pakënaqësisë vjen edhe në kuadër të skandaleve të fundit. Ne jetojmë në një vend, ku pavarësisht ngjyrave partiake, nuk është kjo Shqipëria që duam, jo vetëm për shkak të skandaleve të fundit, por edhe të asaj që ne përjetojmë çdo ditë: situata ekonomike, rendi, korrupsioni që nuk ndëshkohet, krimi i organizuar që nuk luftohet. Ne dëgjojmë përditë kriminelë me vrasje të shumëfishta mbi supe që ose lirohen nga burgjet, ose iu ulet dënimi. Kemi parë të publikuara përgjime të Prokurorisë, ku politikanë flasin për shitblerje të votës me pjesëtarë të krimit të organizuar. Po kështu kemi parë edhe zyrtarë të shtetit, sipas Zërit të Amerikës, që i kanë dhuruar 30 mln dollarë të buxhetit të shtetit firmave fantazmë, duke mos parë persona të penalizuar për këtë. Në kuadër të afrimit dhe shpeshtimit të skandaleve të javëve të fundit, gjykoj që në protestën e organizuar nga opozita, por që do të jetë edhe popullore, do të derdhen para Kryeministrisë nesër përfshi edhe ata që ne i quajmë elektorat gri”, tha Murati.

Në këtë rezyme përfshihet edhe rasti i Durrësit. Por a mund t’i kërkohet qeverisë që të arrestojë apo akuzojë njerëzit e vet? Këtë gjë duhet t’ia kërkojmë Prokurorisë ta bëjë. Nesër, opozita thotë që do të jetë në protestë për të kërkuar zgjedhje, jo pushtetin. Si vjen opozita në këtë protestë?

“Përpjekja e opozitës për ta politizuar situatën, për ta tensionuar qoftë edhe artificialisht, është deri diku e justifikuar dhe e kuptueshme, sepse pas pak muajsh ne kemi zgjedhjet vendore. E shoh edhe si lëvizje taktike të opozitës, që në njëfarë mënyre synon t’i kthejë zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor në një lloj referendumi kundër Qeverisë ‘Rama’. Është përpjekje deri diku edhe artificiale e opozitës për ta tensionuar situatën, por nga ana tjetër edhe e kuptueshme sepse zgjedhjet administrative po trokasin dhe politizimi i situatës i shërben opozitës. Nga ana tjetër, depolitizimi dhe shtensionimi i situatës i shërben qeverisë. Unë kështu i kuptoj edhe ndryshimet e fundit të para pak javëve në qeveri, kur Rama emëroi në këto poste personalitete pak të njohura. Duke vendosur persona jo lehtësisht të sulmueshëm në postet ministrore, opozita dhe kushdo tjetër e kanë shumë të vështirë për t’i sulmuar ata”, tha më tej kryeredaktori i Gazetës Shqiptare.

Rritjen artificiale të tensionit politik nga opozita Erl Murati e konsideroi legjitim, por le të marrim për analogji protestën e studentëve. Ajo lindi, të gjithë e mirëpritën sepse e shkundi sistemin, por nevoja e opozitës, apo nxitimi për ta kapur si protestë vetëm sa e dëmtoi atë. Nxitimi për të kapur ritmin për ardhjen në pushtet dëmtoi në fakt një nga shpresat më të mëdha, siç ishte protesta studentore. A mos është prap një nxitim i tepruar ky në raport me situatën? Rama, me maturinë dhe durimin që ka treguar, po rrëzon rast pas rasti të gjitha mundësitë e opozitës apo të opinionit kundër tij?

“E thashë që është një përpjekje deri diku artificiale për të tensionuar, dhe e kuptueshme, por kjo është pjesërisht, sepse nga ana tjetër kemi një lloj pakënaqësie popullore në rritje evidente”, tha Murati.

Megjithatë, pakënaqësia popullore është e dukshme vetëm në votime, ne e masim me perceptim rritjen e pakënaqësisë. Të gjithë jemi të pakënaqur me rritjen e çmimeve, etj., por nuk e dimë se deri ku shkon kjo pakënaqësi, gjë që e tregon vetëm vota gjatë procesit zgjedhor.

“Deri diku e tregojnë edhe protestat me masivitetin e tyre dhe vazhdimësinë”, shtoi Murati.

Opozita është përgatitur për të mbledhur shumë njerëz nesër në protestë, ndërkohë që Rama theksoi nga Vlora se i mjafton vetëm ky qytet për të balancuar këtë protestë të opozitës. Kjo do të thotë se ai mund të mbledhë mbështetës në protestë në Vlorë, po aq sa ç’mund të mbledhë opozita nga e gjithë Shqipëria. Mos po i rikthehemi sfidës me mitingje dhe antimitingje? A është ky treguesi i vërtetë i balancës politike?

“Kjo qëndron dhe është për t’u analizuar patjetër. Edi Rama në vitin 2013 mori një mandat tepër të fuqishëm me ato një milion shuplakat e famshme për ta mirëqeverisur këtë vend. Në zgjedhejt e vitit 2017, ai foli gjatë për tepsinë dhe timonin”, nisi argumentin e tij Murati.

Por, ato një milion shuplaka ishte kundër Berishës apo pro Ramës? Faktikisht, në Shqipëri pushtetet kanë rënë dhe nuk i ka rrëzuar opozita…

“Këto faktorë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në 2017-n, Rama foli për tepsinë dhe timonin dhe shqiptarët ia dhanë ato. Por, në vitin e 6 të qeverisjes, kjo mazhorancë nuk ka më alibi për t’iu thënë shqiptarëve se ‘nuk e bëmë këtë sepse fajin e ka Saliu, apo aleatët e LSI-së’. Populli, kryeministrit Rama dhe kësaj mazhorance i ka dhënë atë që ka kërkua. Se sa kjo mazhorancë e ka shpërblyer popullin, nuk është vetëm çështje perceptimi, por edhe faktesh. Kemi dy raporte nga Transparency International dhe Freedom House, sipas të cilave situata në Shqipëri është në stanjacion dhe është përkeqësuar. Sipas ‘TI’, Shqipëria është e fundit në Ballkan dhe në Europë sa i përket çështjes së korrupsionit. Ndërkohë që 6 vite më parë, kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet, Rama tha se do të bënte drejtësi dhe do ta godiste korrupsionin. Rilindja nënkuptonte në njëfarë mënyre revolucion dhe ndryshim. Por, sipas ‘FH’ situata e demokracisë në vend ka mbetur në vendnumëro”, tha Erl Murati.

Folëm se çfarë është qeverisja e Ramës, por le të flasim se çfarë është alternativa që vjen. Udhëheqësi i opozitës, Lulzim Basha po fton njerëzit të dalin në shesh e të marrin fatet e tyre në duar. Ndërkohë, ka një tezë, sipas së cilës opozitës i është kërkuar që ta organizojë këtë protestë. Por, nëse populli ia kërkon këtë gjë opozitës, pse nuk del vet në protestë, siç dolën studentët, apo siç kanë dalë francezët.

“Protestat politike nuk janë shpikur në Shqipëri, por zhvillohen në çdo vend të botës. Ka raste në Shqipëri kur vet populli ka dalë në rrugë, siç ishte rasti i armëve kimike, apo i studentëve, që refuzuan të gjitha partitë politike. Kjo e nesërmja është një protestë e kombinuar, opozita është në krye të saj dhe nuk e ka fshehur këtë, por nuk besoj që para Kryeministrisë do të ketë vetëm militantë”, tha Murati.

Pikërisht këtu ngrihet pikëpyetja: Do të kemi vetëm militantët e PD-së dhe LSI-së që mblidhen aty, apo edhe plus elektorat gri. Pikërisht ky do të jetë edhe treguesi sesa njerëzit e mbështesin këtë opozitë.

“Unë besoj që ka arsye për të protestuar në këtë vend. Gjatë 28 viteve të pluralizmit shqiptar mendoj se janë bërë pak protesta, sepse në fund të fundit protesta është shprehje reagimi dhe pakënaqësie që një qytetar, pavarësisht kë parti voton, shpreh ndaj qeverisë. Ti mund të jesh socialist i pakënaqur dhe mund të dalësh t’ia shprehësh këtë kryeministrit dhe qeverisë tënde, në mënyrë paqësore, para Kryeministrisë”, shpjegoi Murati.

Megjithatë, ka zëra që nesër mund të ketë edhe dhunë në protestë. Frika ekziston, edhe pse Basha dhe Kryemadhi e kanë mohuar këtë gjë, teksa kanë thënë se do të jenë aty për të bërë presion ndaj Ramës që të pranojë një qeveri tranzicioni për zgjedhjet.

“Opozita kërkon qeveri tranzitore për të siguruar largimin e Ramës, siç thotë ajo, përmes një qeverie që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sa do ta arrijë opozita, kjo do të varet jo vetëm nga masiviteti, por edhe nga vazhdimësia dhe vendosmëria e opozitës për t’iu qëndruar kërkesave të veta. Pamë në vitin 2017 që kjo gjë përfundoi në një bashkëqeverisje PS-PD, e cila siç thotë vet opozita nuk arriti të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sa i përket retorikës politike të ditëve të fundit të kryetarit të Partisë Demokratike, mua më kujton deklaratat e kryeministrit aktual dhe ish-kryetarit të PS-së në atë kohë, më 19 janar të vitit 2011, i cili fliste pak a shumë për të njëjtat gjëra që sot flet Lulzim Basha. Po të ndjekësh retorikën politike, nuk është një ogur i mirë për protestën e nesërme sa i përket pasjes së dhunës. Për dhunën u fol edhe në kuadër të romanticizmit, ndikuar prej Shën Valentinit, por unë dhunën e refuzoj në çdo rast. Uroj të mos ketë dhunë fizike, sepse është tjetër gjë të protestosh me vendosmëri dhe qëndresë. Dhuna në fund të fundit është krim dhe nuk do të doja që kjo të verifikohej nesër. Uroj nga ana tjetër që protesta e PD-së të jetë e vendosur dhe t’i arrijë qëllimet për të cilat do të thirret: për të garantuar një qeveri që do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Erl Murati.

Një ditë më parë ka pasur një mori reagimesh dhe qëndrimesh të trupit diplomatik në Tiranë, kryesisht të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Misionit të Bashkimit Europian, OSBE-së, sikurse edhe Ambasadat e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Ata refuzojnë aktet e dhunës në unitet, i druhen një degjenerimi në dhunë, por palët e kanë interpretuar politikisht sipas interesave të tyre. Kujt i adresohen këto deklarata të faktorit ndërkombëtar?

“Unë i konsideroj të rëndësishme deklaratat e faktorit ndërkombëtar, por në fund të fundit besoj se më mirë sesa ne shqiptarët vet nuk mund ta kuptojnë realitetin në të cilin po jetojmë. Mesazhet e faktorit ndërkombëtar nuk duhen marrë me rezerva, por duhen analizuar dhe nuk duhen mbivlerësuar. Siç edhe e shpresa, dhuna fizike do të dëmtonte këdo, jo vetëm qeverinë por edhe opozitën, por nga ana tjetër, askush më mirë sesa shqiptarët nuk mund ta kuptojnë realitetin, apo sëmundjen të cilën vuan politika shqiptare, apo ilaçin me të cilin kurohet kjo sëmundje”, përfundoi argumentin e tij Erl Murati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA