Një arqipelag i largët rus ka shpallur gjendjen e emergjencës të shtunën pas një pushtimi nga dhjetëra arinj polarë. Zyrtarët lokalë thonë se 52 arinj polarë ishin dalluar mes dhjetorit dhe shkurtit përreth Belushia Guba, një zonë në arqipelagun Novaja Zemlya, në oqeanin arktik.
Disa nga kafshët kanë sulmuar njerëz dhe kanë hyrë në godina banimi. “Banorët, shkollat dhe kopshtet kanë bërë shumë ankesa në të cilat kërkojnë garantimin e sigurisë në këtë rajon – tha administrata lokale në një deklaratë. “Njerëzit janë të trembur. Ata kanë frikë të dalin nga shtëpitë dhe rutina e përditshme është thyer. Prindërit kanë frikë ti dërgojnë fëmijët në shkollë apo kopsht.
Arinjtë, sipas mediave ruse, duken të patrembur nga qentë, rrethimet përreth shkollave apo mjeteve të patrullimit.
Sipas vlerësimeve, popullata globale e arinjve polarë është rreth 26 mijë. Kafshët janë listuar si nën kërcënim, nga shërbimi amerikan për detet dhe jetën e egër, në 2008, në mesin e shqetësimeve se ndryshimet klimaterike po ndryshojnë dhe reduktojnë habitatet e tyre. Edhe pse sulmet ndaj njerëzve janë të rralla, ato pritet të rriten ndërsa më shumë akullnaja shkrijnë dhe kafshët kalojnë më shumë kohë në tokë.
Top Channel