Wall Street Journal: Kim Jong Un po zgjeron kapacitetet bërthamore të Koresë së Veriut, çfarë zbuluan imazhet satelitore
Një anije ushtarake venezuelase ka mbërritur në Havana për të shpërndarë 100 tonë ndihma humanitare për Kubën, që kohët e fundit është goditur nga një tornado; ndërkohë që në shtëpi, qeveria e socialistit Nicolas Maduro refuzon ndihmat humanitare të dërguara nga vendet e tjera, për të zbutur krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi.
“Pavarësisht situatës në të cilën ne ndodhemi në vendin tonë, si rezultat i luftës së perandorisë së Shteteve të Bashkuara ndaj popullit tonë, ne mbetemi të fortë, por jemi të fortë edhe në solidaritet, në bashkëpunim dhe në miqësi me popullin e Fidelit”, tha Vivian Alvarado, e ngarkuar e Ambasadës së Venezuelës në Kubë.
Havana u godit nga një tornado i fuqishëm javën e shkuar, që u mori jetën 6 personave dhe dëmtoi 3.500 shtëpi. Por, Venezuela, që u hodh e para në ndihmë, është në gjendje edhe më kritike, me ushqimet dhe ilaçet që mungojnë në vend.
Sipas shifrave, 82 për qind e popullatës venezuelase jeton në varfëri dhe 12 për qind janë të paushqyer. Shpërthime sëmundjesh si difteria dhe tuberkulozi janë raportuar po ashtu.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera i kanë kërkuar Maduros të lejojë ndihmat humanitare të hyjnë në vend, por ky i fundit ka mbyllur kufijtë dhe thotë se kriza humanitare në Venezuelë është fabrikuar nga Uashingtoni, për të justifikuar ndërhyrjen në vendin amerikano-jugor. Ai premtoi madje se do të bllokonte spektaklin e rremë të ndihmave.
Top Channel