Theresa May ka mbërritur në Bruksel këtë të enjte, për t’iu kërkuar krerëve të BE-së ndryshime ligjërisht detyruese në marrëveshjen e “Brexit”-it.

Kryeministrja do të këmbëngulë të tregojë se, Mbretëria e Bashkuar nuk do të bllokohet nga “backstop”-i, plani për të shmangur kthimin e kontrolleve në kufirin irlandez, pavarësisht marrëveshjes tregtare të vendit dhe BE-së.

May do të argumentojë se ujdia duhet ndryshuar, nëse do që të fitojë mbështetjen e deputetëve, të cilët i kanë kërkuar një “marrëveshje alternative”, pasi atë aktualen nuk e pranojnë.

Brukseli, ndërkohë, e ka përjashtuar vazhdimisht mundësinë e ndryshimit të paktit. Një ditë më parë, pakënaqësia e bllokut shpërtheu në formën e një komenti fshikullues të Donald Tusk, që tha se duhet të ketë një vend special në ferr, për ata që mbështesin “Brexit”-in pa një plan për realizimin e shkëputjes në mënyrë të sigurtë.

Ligjvënësit britanikë që mbështetën kampin pro largimit në referendumin e vitit 2016 reaguan me zemërim ndaj këtyre komenteve, duke e akuzuar presidentit e Këshillit Europian për arrogancë.

Top Channel