Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, ishte i ftuar në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, ku foli mbi gjuhën e ashpër politike të kohëve të fundit, me akuza e kundërakuza mes palëve.

Çipa e shpjegoi këtë lloj gjuhe me kulturën e klasës sonë politike, por jo vetëm.

“Kjo është kultura që ka klasa jonë politike, por kjo ka të bëjë edhe me mungesën e agjendës politike që do të kishte programe dhe projekte për shoqërinë. Nëse nuk do të ishte kështu, klasa jonë politike do të ndërtonte një forum të konsultimit dhe dialogut ndërpalësh për çështjet më kruciale të kombit, shoqërisë dhe shtetit. Për shembull, a është momenti më pik për çështjen e negocimit të bisedimeve të Kosovës me Serbinë? A është momenti më pik për instalimin dhe fillimin e funksionalitetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri? Kjo është kultura tranzicioniste që klasa jonë ka fituar këto 28 vite”, tha Çipa.

“Konfliktualiteti verbal mbizotëron në ligjërimin publik. Një kulturë e tillë ka efekte të pallogaritura te të rinjtë dhe ka pasoja të tmerrshme në dekadat e ardhshme”, shtoi Çipa.

Top Channel