Kur ora të shënojë mesnatën, më 5 shkurt, urime për fat të mirë do të shprehen, fishekzjarret do të shpërthejnë në qiell dhe zarfe të kuqe të mbushura me parà do të këmbehen, ndërsa miliona njerëz në të gjithë botën do të hyjnë në Vitin e Ri hënor.
Ky Vit i Ri hënor është viti i derrit.
Kështu, karakteri vizatimor “Peppa Pig” (Derrkuci Pepa) është tashmë një hit në Kinë, ndërsa vendi përgatitet të hyjë në Vitin e Ri hënor.
Seria që ka nisur të shfaqet në Kinë në mesin e viteve 2000 është bërë jashtëzakonisht popullore, përmes episodeve të dubluara në gjuhën mandarine, edhe pse vendi komunist e ka censuruar jo pak Peppën, me medien shtetërore që e ka cilësuar atë emblemë të antikulturës.
Pavarësisht kësaj, në një vend ku derri është simbol i pasurisë, Peppa po shitet shumë. Por, për Jenny Tsai, në Tajvan, çdo vit është viti i derrit. Apartamentin e saj, ajo e ndan me një tjetër njeri, por si bashkëjetues ka edhe 4 derra. Tsai thotë se derrat e saj janë aq të zgjuar, saqë kanë mësuar tani edhe të hapin frigoriferin.
Në anën tjetër, në Hong Kong është ndezur debati se çfarë duhet bërë me popullatën në rritje të derrave të egër. I njohur për qiejgërvishtësit e panumërt të tij, Hong Kongu ka edhe një seri malesh dhe parqesh ku gjallërojnë derrat e egër, e gjithnjë e më shpesh po ndodh që njerëzit dhe derrat të takohen fytyrë më fytyrë.
Top Channel