Edhe e enjtja e emisionit “Top Talk” iu kushtua aktualitetit kriminal në vend. Kemi një situatë që na sjell në vëmendje se në raport me krimin nuk jemi edhe aq në qetësi, pavarësisht statistikave që vijnë herë pas herë për përmirësim apo pakësim të rasteve të krimit. Për këtë çështje, i ftuari i gazetarit Denis Dyrnjaja ishte gazetari Artan Hoxha.

Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar dy ngjarje kriminale, një vrasje në Tiranë dhe një vendosje tritoli në Vlorë. Pra, shohim një lloj agresiviteti në terren.

“Në fakt kemi thuajse një javë që ka një aktivizim të atij që quhet krimi i rrugës, grabitjet e bizneseve, bankave të nivelit të dytë, etj.. Çuditërisht po ndodhin në një aks që ka qenë relativisht i qetë në vitet e fundit, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet. Janë zona që nuk janë shquar për një aktivitet të tillë kriminal. Në përgjithësi, po të shikosh dinamikën edhe në vitet e shkuara, janari është një muaj problematik, që ka një situatë kriminale të agravuar. Këtë vit kemi disa vepra të një natyre të veçantë, gjë që u dëshmua edhe në Korçë-Devoll-Pogradec. Duket sikur është e njëjta dorë e grabitjeve në këtë qark. Grabitjet me dhunë, me armë, ndaj bizneseve të vogla pa dallim, të gjitha këto shkaktojnë panik, madje kur ndodhin në zona të vogla shkaktojnë më shumë panik sesa ngjarjet e rënda që transmetohen në medie”, tha ndër të tjera Hoxha.

Sipas tij, kjo ndodh shpesh kur policia është duke u marrë me diçka tjetër, e ka humbur vigjilencën, ka ulur intensitetin e kontrolleve.

“Edhe policia ka hallet e veta, pasi është vettingu i famshëm që nuk është bërë aty, ndërkohë që u ndryshua ministri dhe disa drejtues të rëndësishëm. Pritet të ndryshohen disa të tjerë, e të gjitha këto japin një reaksion zinxhir. Duhet të kemi parasysh se, kur lëviz një drejtor i rëndësishëm në Policinë e Shtetit, ai vjen me një kabinet me vete, kërkon njerëzit e vet me të cilët do të punojë, duke prishur të gjithë strukturën ekzistuese. Kjo është një problematikë më vete”, tha Artan Hoxha.

Për t’u rikthyer sërish te vrasja në Tiranë…

“Vrasja në Tiranë sigurisht që ishte tronditëse, pasi ndodhi në një nga zonat që presupozohet se ka kontroll të lartë, nivel të ulët kriminaliteti, në vilat e Selitës, por më i rëndë është fakti se personi që u vra është ish-punonjës i policisë, bashkëshortja e të cilit ka qenë dje në detyrë kur mori vesh lajmin, si dhe është i treti mashkull që vritet nga e njëjta familje në një hark prej 20 vitesh, e që të trija vrasjet janë pa autorë. Në total, e gjithë kjo ngjarje është vijim i një seriali vrasjesh që ka nisur diku nga viti 1996, e ka vazhduar me një numër shumë të madh të vrarësh. Rreth 80 për qind e këtij seriali është e pazbuluar. Po në janar të vitit 2014 kemi një vrasje tjetër që shenjoi fillimin e atij 6-mujorshi të frikshëm të tritolit në Shqipëri. Ishte një minë e telekomanduar që u hodh në Vorë dhe u vra një pjesëtar i familjes Xhabafti”, shprehet Hoxha.

Po ku ndodhet policia në këto raste? A mungon forca zbuluese e policisë, apo thjesht jemi statistikor?

“Këto ngjarje nuk janë zbuluar për dy dekada me radhë. Kohët e fundit, Tirana dukej sikur kishte një lloj qëndrueshmërie dhe u krijua përshtypja e rreme se kjo gjë u arrit falë punës së policisë. Në fakt jo, ishte vet situata mes botës së krimit që kishte krijuar këtë qetësi, pas vendosjes së disa marrëveshjeve. Në rastin konkret, që të përballesh me nivele të tilla si vrasja e djeshme, nuk është shumë e lehtë ta zbulosh. Së pari duhet të kesh një rrjet informacioni shumë të mirë, punonjës operativë shumë të mirë në zonë, kartotekë perfekte dhe në fund duhet të kesh edhe reagimin e menjëhershëm. Ne çalojmë në të katërt këto përbërës dhe jo vetëm në një. Nuk është e thjeshtë që një gjë e tillë të ndodhë. Ngjarja në Vlorë do të ishte më e rëndë po të kishte shpërthyer eksplozivi, sepse ishte një sasi e madhe. Vlora gjatë muajve të fundit është përfshirë nga një seri krimesh që nuk po gjejnë zgjidhje. Edhe në Shkodër, asnjë nga vrasjet e fundit nuk është zbuluar, sikurse në Elbasan dhe Lushnje, ku ndonëse është lënë disi në qetësi këto kohë, do të ndodhë diçka edhe atje që të riaktivizohet situata, ndërkohë që i jemi afruar kryeqytetit”, tha Hoxha.

Tabloja e parashtruar në fakt të krijon idenë sikur vet krimi e menaxhon situatën, e qetëson kur iu leverdis dhe e ndezin kur kanë mosmarrëveshje. Po policia, rolin e tifozes bën në këtë rast?

“Policia sigurisht që mundohet të bëjë detyrën e vet, por e vetme nuk e përballon dot situatën kriminale në vend. Sa herë ka agravim të situatës politike në vend, ka edhe agravim të situatës kriminale. Krimi gjen momentin e duhur sepse policia shpërqëndrohet. Siç ka filluar përgatitjet opozita për protestën e 16 shkurtit, ka filluar përgatitjet edhe policia sesi do ta menaxhojë atë. Kjo është një energji e madhe e humbur në një drejtim që nuk përbën detyrën parësore të policisë”, shpjegoi Hoxha.

Megjithatë, policia nuk rri duarkryq.

“Vetëm në 24 orët e fundit, policia ka pasur dy operacione shumë të suksesshme, ndonëse pa jehonë në media. Është kapur një shqiptar nga Lezha në qendër të ish-Bllokut, një njeri që akuzohet si ndërlidhësi i një sasie kolosale trafiku kokaine, që do të vinte nga Amerika Latine në Itali. Bëhet fjalë për të paktën 8 tonë. Ky ishte një operacion gjigant dhe zbulimi u bë nëpërmjet një agjenti të infiltruar të DEA-s. Fakti që policia jonë e kapi këtë person, Dorian Petaku e ka emrin, është një sukses i madh. Po dje, policia kreu edhe një operacion tjetër të suksesshëm, duke kapur në periferi të Tiranës, një grup tjetër me 10 kg heroinë”, u shpreh Artan Hoxha.

Më shumë sesa sukses të policisë, kjo tregon më shumë se Shqipëria është kthyer në një treg të mirëfilltë të trafikut të drogës, tranzit apo edhe konsumator.

“E kam thënë edhe herë tjetër, që në 2018-n në Shqipëri ka ndodhur një ndryshim në botën e krimit. Ishte një vit i rëndësishëm edhe për botën e krimit në Shqipëri, për strukturimin e tij. Disa grupe të forta, të fuqishme dhe me aktivitet të gjatë, së pari u ekspozuan nëpërmjet medias dhe së dyti morën goditje nga policia. Disa bosë jetëgjatë të krimit në tregun e kriminalitetit në Shqipëri, ose u arrestuan, ose u ekzekutuan vjet, ose dolën nga skema. Këto ngjarje shumë të rëndësishme kanë bërë që të krijohen disa grupe të reja ose drejtues të rinj. Ky riformatim e bën më të vështirë, pasi çdo i ri që vjen ka mënyrën e vet të të drejtuarit, e madje është i paekspozuar. Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë personin nga Lezha që u kap në zemër të Bllokut. Sigurisht italianët dhe amerikanët ishin shumë të interesuar për arrestimin e tij, i cili ishte ndërlidhës për një transport që do të bëhej me avion privat nga Brazili në Itali”, tha Hoxha.

Por, a jemi në kuadrin e bandave, organizatave kriminale, apo mafies së mirëfilltë?

“Mafia në vetvete nuk është një term juridik, edhe në legjislacionin shqiptar dhe atë të huaj nuk ekziston si përcaktim juridik, por mafia është një lloj termi i krijuar për të shenjuar mënyrën më të lartë të organizimit të krimit. Sigurisht që Shqipëria ka nuanca shumë të forta dhe një evoluim të jashtëzakonshëm, që nga momenti kur e nisi këtë industri kriminale nga 1991-shi deri më sot. Kemi ecur me hapa gjigante, që të tjerëve mund t’iu jenë dashur dekada apo shekuj. Sot jemi aq të ndjeshëm dhe aq të dukshëm në Perëndim, për shkak të ekspozimit të madh që kemi. Grupet shqiptare janë shumë të dhunshme, të zhdërvjellët, shumë aparativë, kompaktë sepse veprojnë si komando, por janë edhe shumë të guximshëm, sepse marrin përsipër edhe gjëra që duken të pabesueshme. Nëse një grup mafioz, vrasjen e shohin si një zgjidhje të fundit, për grupet tona nuk është e fundit, mund të jetë edhe e para fare. Por grupet shqiptare kanë një problem tjetër: nuk kanë shtab dhe duke mos pasur një të tillë, çdo përpjekje që bëhet për të goditur atë që quhet mafie shqiptare shkon kot. Në një vend europian mund të godasësh një organizatë nga Fieri, por në fund të muajit do të shohësh që aty ka ardhur një organizatë nga Shkodra. Grupe të vjetra prej 20 vitesh në këtë treg dhe ende të paprekura, dëshmojnë që janë të aftë të korruptojnë, të përfshihen në sistemin e drejtësisë, e po ashtu edhe në jetën politike”, tha Hoxha.

Edhe media ndërkombëtare po i kushton shumë vëmendje aktivitetit kriminal në Shqipëri. Përse kjo jehonë dhe pse pikërisht në këtë moment?

“Nuk ka nisur në këtë moment, ka disa vite por tani është intensifikuar. Por Shqipëria ka një problem tjetër për ta, sepse është ende një vend i panjohur dhe ekzotik, ka histori që mund t’i lidhësh me kanunin, plus që grupet shqiptare në disa vende kryesore janë bërë interesantë për mediet e huaja. Fakti që kriminaliteti shqiptar, sidomos në trafikun e drogave të forta, është specializuar, duke marrë përsipër tashmë edhe nisjen nga Kolumbia apo Ekuadori. Shqiptarët po vriten atje, në Bogota, Guayaquil apo Quito. Shqiptarët po luftojnë edhe me njëri-tjetrin, kaq larg territorit të tyre”, tha Hoxha.

Çfarë kontaktesh ka politika? A ka fije të politikës të lidhura me këtë lloj krimi të nivelit të lartë?

“Duke ditur se trafiku i kokainës sjell të ardhura të mëdha, bota e krimit ka një nevojë emergjente për t’i vënë këto parà në qarkullim. Por që ta bësh këtë duhet të kesh fijet e duhura, sepse ti lë gjurmë. Fijet e duhura mund t’i arrish vetëm duke pasur lidhje të forta në politikë dhe duke korruptuar sistemin. Kjo po diskutohet edhe ditët e fundit, përfshirja e botës së krimit në jetën politike. Bota e krimit ka dëshmuar jo sot, por tani sa vjen e fijet bëhen më të dukshme, që jo vetëm ka qenë e interesuar për lidhjet me politikën dhe ndikuar në politikë, por ka ndikuar që në shumë procese të devijojë atë që duhej të ishte në fakt realiteti në Shqipëri”, tha Hoxha.

Sa lart shkon lidhja?

“Mjafton të shohësh zgjedhjet. Ndërhyrja e grupeve kriminale në zgjedhje duke financuar, sepse ka grupe kriminale që financojnë të dyja palët njëkohësisht, ose nëse njëri grup financon njërën palë, rivali i tij automatikisht financon palën tjetër. Fillimisht politika ka menduar se do ta kontrollojë krimin dhe e ka thirrur ajo krimin për ta përdorur. Sot jemi në fazën që krimi është fuqizuar aq shumë dhe po tenton ta kontrollojë ai politikën. Nuk e ka bërë ende, por nëse do ta bëjë do të kemi një ndërhyrje nga jashtë. Ne jemi vend i vogël dhe aleatët po na monitorojnë”, tha Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA