Shqiptarët mbajnë titullin “ekspertë të drogës” në Itali, e gjithashtu mbeten aleatë të “Ndranghetës”.

Kjo nuk është një deklaratë surprizë e Antimafias italiane, apo edhe e prokurorit të Antimafias, Federico Cafiero de Raho, për sa kohë që ky shqetësim përcillet çdo vit nga agjencitë italiane.

Për këtë arsye, prokurori kombëtar i Antimafias italiane, De Raho kujtoi se mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll trafikantët është sipas formulës “ndiq paratë”.

“Jam dakord me Sorecën, kur tha se ‘formula më efikase për goditjen e krimit është ndjekja e parasë, por edhe ndalimi i kontakteve mes të burgosurve dhe atyre që janë jashtë burgjeve’. Krimi shqiptar është i specializuar në trafikun e lëndëve narkotike. Hetime të shumta janë duke u zhvilluar në Itali dhe vende të tjera. Të gjitha drejtoritë e rretheve në Itali janë duke hetuar për këtë gjë, e që përfshijnë edhe shqiptarë”, tha Federico Cafiero de Raho, prokuror i Antimafias.

Duke sjellë shembullin e Ndranghetës, që i investon paratë e krimit përmes shoqërive tregtare, De Raho e lidhi pastrimin e parave edhe me korrupsionin.

“Vetëm në raste shumë të rralla, fitimet janë fshehur apo riinvestuar në Itali, pasi ka një mundësi të lartë që pastrimi i parave të ndodhë përmes organizatave kriminale. Ky fenomen ndodh në Shqipëri. Riinvestimi i paligjshëm dhe korrupsioni është rrezik shumë serioz. Mendojmë sa korrupsion mund të ketë nga subjektet kriminale që kanë pasuri të mëdha. Në çdo vend të botës ka jo vetëm një lidhje mes korrupsionit dhe rëndësisë ekonomike që ka marrë trafiku i drogës, por edhe një marrëdhënie e drejtpërdrejtë e konsolidimit të organizatave të mëdha dhe depërtimi në politikën lokale apo qendrore”, tha De Raho.

Për të parandaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha se pritet konfiskimi i pasurive të paligjshme.

“Operacioni i konfiskimit të pronave të paligjshme në Shqipëri është në fillim. Ne presim vendimet përfundimtare të konfiskimeve, e po ashtu një sinjal të rëndësishëm të progresit, që ky vend po bën në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Luigi Soreca.

Vizita e prokurorit të Antimafias përkon me nisjen e zbatimit të ligjit “41 Bis”, përmes të cilit do të vendosen nën mbikëqyrje të gjithë të dënuarit e rëndësishëm, që vazhdojnë të mbajnë lidhje me grupet kriminale.

Top Channel