I vetëdijshëm se shumë tifozë mund ta urrejnë, e se mund të humbasë popullaritetin e krijuar ndër vite me shumë mund e djersë në basketbollin profesionist, Nikola Kaliniç tha disa të vërteta që shumë serbë nuk i pranojnë.
Gjiganti i përfaqësueses së Serbisë, që aktualisht luan për Fenerbahçen, u fokusua mbi pikëpamjen rreth çështjes së Kosovës dhe te nacionalizmi në vendin e tij, që kthehet shpesh në një problem për rajonin.
“Është momenti i fundit që të zgjidhet problemi i Kosovës dhe ne të vazhdojmë më tej. Që kur mbaj mend për veten, jam i lindur më 1991-shin, ka pasur probleme e mospajtime rreth Kosovës. Ta zgjidhim më në fund këtë problem, të marrim aq sa mundemi dhe të vazhdojmë jetën. Lufta e Kosovës ka ndodhur para 600 vitesh, ndërsa për shumë dekada ai nuk është territori ynë. Le të më korrigjojë historia dhe ata që dinë më shumë, nëse po gaboj”, tha Nikola Kaliniç, basketbollist i përfaqësueses serbe.
Basketbollisti serb i Fenerbahçes nuk u ndal me kaq në intervistën e tij për gazetën “Blic”.
“Askush nuk jeton nga e kaluara dhe, sa më shpejt të pajtohemi me të tashmen, më mirë do të jetë për ne. Nuk jemi popull qiellor e as që kemi qenë ndonjëherë. Kemi pasur momente të shkëlqyera në të kaluarën, por duhet të pajtohemi me faktin se tani jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës”, u shpreh më tej basketbollisti.
Nikola Kaliniç tha se është i ndërgjegjshëm se tani shumë serbë do ta urrejnë, por është koha që dikush të thotë të vërtetat.
Top Channel