Ndryshimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës është kundërshtuar ashpër në arenën ndërkombëtare, nga disa shtete, një prej të cilave është Gjermania.

Ndërkohë që SHBA kanë një qasje më asnjanëse, sikur presin që diçka të ndodhë.

Por për Edita Tahirin qëndrimi i SHBA lexohet gabim qëllimisht në rajon.

“Po krijohet një propagandë që gjoja SHBA është pro ndryshimit të kufirit. Kjo është propagandë. SHBA janë në përkrahje të dialogut dhe një marrëveshjeje, por nuk janë për ndryshim kufijsh. Edhe letra e Trump nuk flet për ndryshim kufijsh”, u shpreh Edita Tahiri, duke theksuar se “Propaganda është se Thaçi po kërkon ndryshimin e kufijve me mbështetjen e SHBA. Kjo nuk është e vërtetë”.

Në raport të qëndrimit të SHBA ndaj Kosovës, Edita Tahiri tha se ka një ndryshim në krahasim me presidencat e tjera në krahasim me presidencën Trump.

“Aleati kryesor i Kosovës ka qenë dhe mbetet SHBA. Por qëndrimet e politikës së jashtme të SHBA-ve në krahasim me të kaluarën janë më të paparashikueshme”, tha ajo, duke shtuar se do ta konsideronte këtë situatë si kalimtare.

Top Channel