Strategu politik Roger Stone, aleat i hershëm i presidentit amerikan Donald Trump, është arrestuar në Florida me shtatë akuza të ngritura ndaj tij në vazhdën e hetimit të Prokurorit Special, Robert Mueller.

Aktpadia përfshin akuza për pengim të procedurave zyrtare, manipulim të dëshmitarëve dhe për dëshmi të rreme. Mueller po verifikon mundësinë e shumëpërfolur të një bashkëpunimi mes stafit të fushatës së Trump dhe Rusisë.

Në 2016-tën, agjensitë amerikane të inteligjencës dolën në përfundimin se Moska kishte përdorur një valë masive sulmesh kibernetike të autorizuar nga shteti dhe lajmesh të rreme të hedhura ne rrjetet sociale në përpjekje për t’i kthyer zgjedhjet presidenciale të Amerikës në favor të Trump.

Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë e konsideron hetimin “Një gjueti shtrigash” e asgjë më shumë; Kremlini po ashtu mohon çdo përfshirje në votimet amerikane. Por ekipi i Muellerit ka ngritur deri tani një serë akuzash kundër mbi 20 rusë si dhe disa personave të lidhur me vetë presidentin trump, përfshirë ish shefin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, dhe ish kreun e fushatës se tij elektorale, Paul Manafort.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA