Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdoan pranuan të koordinojnë veprimet në Siri.
Takimi mes liderëve të dy vendeve të pozicionuara në kahe të kundërta në konfliktin sirian, vjen pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e trupave nga vendi i trazuar. Bisedimet zgjatën rreth 3 orë.
“Bashkëpunimi mes Rusisë e Turqisë është një gurthemeli i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin sirian. Me miqtë tanë rusë synojmë ta forcojmë akoma më shumë bashkërendimin tonë”, tha Erdoani.
Putini sqaroi se është rënë dakord mbi mënyrat e koordinimit të punës në të ardhmen e afërt, ndërsa takimin që përfshiu dhe ministrat e Mbrojtjes, e përshkroi si konstruktiv.
Ky është praktikisht një afrim që në rrethana të tjera do të konsiderohej i pagjasë: Rusia është mbështetëse e fuqishme e qeverisë siriane, ndërsa Turqia ka përkrahur grupet rebele që luftojnë forcat ushtarake të Bashar al-Asadit. E megjthatë, kanë zgjedhur të punojnë më ngushtësisht me njëra-tjetrën për gjetjen e një zgjidhjeje politike të luftës 7-vjeçare.
Ata do të koordinojnë operacionet në terren pas vendimit surprizë të Donald Trumpit për tërheqjen e 2000 ushtarëve nga Siria, një lëvizje e diskutuar kjo siç thuhet me Erdoanin, por e ndërmarrë në kundërshtim me paralajmërimet e forta të disa zyrtarëve të lartë të administratës Trump.
Top Channel