Presidenti Donald Trump nuk do ta mbajë dot fjalimin mbi gjendjen e vendit për sa kohë vazhdon mbyllja e pjesshme e qeverisë.
Të mërkurën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e tërhoqi ftesën drejtuar Kreut të Shtetit për ta mbajtur fjalimin në 29 janar me argumentin se më parë duhet të rihapen të gjitha shërbimet qeveritare.
Ngërçi i krijuar ka prekur 800 000 punonjës federalë. Demokratja nga Kalifornia iu drejtua shefit të Shtëpisë së Bardhë duke i thënë se Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët nuk do ta miratonte rezolutën e kërkuar që lejon Presidentin të mbajë fjalimin tradicional përpara Kongresit.
Mbajtja e tij në datën 29 janar do të përputhej me ftesën e saj të mëparshme. Letra e Pelosit e detyroi Shtëpinë e Bardhë të tentonte hartimin e një plani alternativ për fjalimin, i cili është një nga mundësitë më të mëdha që tradicionalisht i jepet Presidentit për të paraqitur programin e tij përpara publikut.
Trumpi megjithatë pohoi se do ta shtyjë fjalimin pasi të ketë përfunduar mbyllja e qeverisë, e cila po hyn në muajin e dytë dhe është më e gjata në histori. Mosmarrëveshja që ka çuar në mbylljen e pjesshme të qeverisë lidhet me financimin e një muri kufitar me Meksikën, për të cilin demokratët që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nuk janë dakord.
Top Channel