BE kërkon monitorim të “pasaportave gold” ndaj investitorëve të fuqishëm

23/01/2019 18:07

Komisioni Europian u ka sugjeruar shteteve të Bashkimit Europian të forcojnë kontrollet ndaj shtetasve të vendeve jo anëtare të BE-së, të cilët kërkojnë nënshtetësi përmes investimeve, apo të ashtuquajturat “pasaporta gold”.

Komisioni planifikon monitorim më të ngushtë të skemave të tilla, e po ashtu edhe të “vizave gold” që garantojnë rezidencën në këmbim të një investimi madhor. KE thotë se përmes këtyre skemave mund të abuzohet për shkelje të tilla si evazioni fiskal dhe pastrimi i parave.

Nënshtetësia europiane (e një shteti të BE-së) i siguron një individi lëvizjen e lirë në shumicën e vendeve të bllokut, një qasje më të lehtësuar në tregun e përbashkët, si dhe të drejta të tjera të rëndësishme. Deri më tani janë 21 vende të BE-së që aplikojnë skema të tilla.

Qiproja, Malta dhe Bullgaria ofrojnë pasaporta për shtetasin joeuropianë, të cilët realizojnë investime të mjaftueshme në vendet e tyre. Të huaj të pasur mund të blejnë këto pasaporta në këto vende për një shumë midis një milion dhe dy milionë eurosh.

Jo vetëm këto 3 shtete, pasi edhe 17 vende të tjera anëtare, përfshi këtu Britaninë e Madhe, ofrojnë gjithashtu të drejta rezidence për investitorët e fuqishëm. Kjo e drejtë e vendos individin në fjalë drejt rrugës për të fituar nënshtetësinë.

Shkalla e investimit të kërkuar për sigurimin e rezidencës varion nga rreth 13.500 euro në Kroaci, në më shumë se 5 milionë euro në Luksemburg apo Sllovaki.

Në një raport të ri, Komisioni Europian thotë se nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi mënyrën sesi funksionojnë këto skema. E për këtë arsye do të ngrejë një ekip specialistësh për të monitoruar skemat dhe për të rritur shpërndarjen e informacionit.

Raporti thotë se aplikuesit mund të sigurojnë nënshtetësinë bullgare, qipriote apo malteze, e kësisoj edhe atë europiane, “pa banuar kurrë në praktikë në vendin anëtar”.

Në një raport të tetorit të kaluar, organizata antikorrupsion “Transparency International” ishte shprehur se Spanja, Hungaria, Letonia, Portugalia dhe Britania e Madhe dhanë më shumë “viza gold” për investitorët dhe familjet e tyre, sesa Greqia, Qiproja dhe Malta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA