Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve tregtare mund të dëmtojë rritjen ekonomike globale.

Në një raport të ri, FMN-ja paralajmëron gjithashtu për rreziqet e një “Brexit”-i pa marrëveshje. Për ekonominë globale, FMN-ja parashikon tani një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2019. Në tetor, parashikimi ishte 3.7 për qind.

“Rritja globale në vitin 2019 do të jetë 3.5 për qind, ndërsa 3.6 për qind në vitin 2020. Kjo është 0.2 dhe 0.1 pikë nën parashikimet e bëra në tetor”, tha Gita Gopinath, kryeekonomiste e FMN-së.

Shifra globale përfaqëson një rritje më të dobët krahasuar me vitin e mëparshëm. Tarifat e vendosura nga administrata “Trump” dhe kundërpërgjigjet nga pala kineze kanë kontribuuar në rënie.

FMN-ja parashikon po ashtu që rritja ekonomike e Kinës të vijojë të ngadalësohet. Në këtë vlerësim të ri, ka rishikime të shifrave për ekonomitë e zhvilluara, veçanërisht për Eurozonën. Kjo reflekton problemet në industrinë e automobilëve në Gjermani, si pasojë e standardeve të reja për emetimet.

Ka shqetësime edhe për Italinë, ku tregjet financiare janë trazuar për shkak të planeve të qeverisë për të rritur shpenzimet. Ky raport flet në plan të përgjithshëm për vijimin e rimëkëmbjes, pas recesionit të viteve 2008-2009, por sidoqoftë – thonë ekspertët, – re stuhie po mblidhen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA