Rreth 170 persona dyshohet të kenë vdekur në dy incidente të ndara në ujërat e Mesdheut. Lajmi jepet nga agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR.

Marina italiane raporton mbytjen e një anijeje pranë brigjeve të Libisë, me 117 persona në bord, ndërkohë që autoritetet marokene dhe spanjolle janë përpjekur, me sa duket pa sukses, të gjejnë një varkë të humbur në Mesdheun perëndimor.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët, gjithsesi kujdeset të theksojë se nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave. Por, në një përmbledhje për vitin 2018, ajo nënvizon se më shumë se 2.200 njerëz kanë humbur jetën në përpjekjet e tyre të dështuara për të kaluar Mesdheun.

“Nuk mund të bëjmë një sy ‘qorr’ përpara këtij numri kaq të lartë njerëzish që po humbasin jetën pranë dyerve të Europës”, tha Komisioneri i lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, në një deklaratë për shtyp. “Asnjë përpjekje nuk duhet të kursehet, apo të pengohet, për shpëtimin e jetëve në rrezik në mes të detit”, theksoi më tej ai.

Varka e parë, me 53 persona në bord, raportohet të jetë zhdukur në detin Alboran në cepin më perëndimor të Mesdheut. Një i mbijetuar po trajtohet në një spital të Marokut, pasi kaloi rreth 24 orë i bllokuar në det. Kërkimet për të kanë qenë të pasuksesshme prej disa ditësh.

Një varkë e dytë tip gomoneje u nis nga Libia të shtunën, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM). Zëdhënësi Flavio Di Giacomo thotë se 3 të mbijetuar u kanë thënë atyre se në bordin e saj ishin 120 persona, të cilët u nisën nga brigjet e Garabullit në Libi.

Një avion i Forcave Ajrore italiane hodhi dy mjete pluskuese të premten, teksa pikasi mbytjen e gomones në ujëra ndërkombëtare. Tri personat e mbijetuar vuajnë tashmë nga hipotermia, e u shpëtuan me helikopter për të marrë ndihmën e shpejtë në ishullin e Lampeduzës.

IOM-ja thotë se 4.216 emigrantë kanë kaluar në Europë përmes detit në 16 ditët e para të vitit 2019, më shumë sesa dyfishi i atyre që erdhën në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Disa shtete europiane, mes të cilave edhe Italia, kanë refuzuar të pranojnë emigrantë në vitet e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA