Presidenti amerikan Donald Trump shënon këtë të dielë dyvjetorin në detyrë. Në këtë periudhë, ai ka ndërmarrë disa vendime të kontestuara që kanë shkaktuar mjaft reagime.

Ai e nxori Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, tërhoqi vendin nga marrëveshja globale për klimën, e po ashtu hodhi poshtë paktin tregtar të Amerikës me Azinë, i njohur si “Partneriteti i Transpaqësorit” (TPP).

Trump provokoi një luftë tregtare me Kinën, ngriti doganat kundrejt aleatëve europianëve, e dha urdhrin për tërheqjen pa vonesë të trupave amerikane nga Siria.

Në politikën e brendshme, ai mori një nga vendimet më të rëndësishme në historinë më të re amerikane për reformën e tatimeve, e veproi fort kundër emigracionit ilegal.

Me debatin për ngritjen e murit me Meksikën, ai shkaktoi një nga krizat më të forta të administratës amerikane në histori. Një rekord tjetër ka gjasë të pasojë…Asnjëherë më parë, ndonjë president amerikan nuk ka emëruar kaq shumë gjykatës federalë.

Kjo listë është vetëm një renditje e vendimeve më të njohura të presidentit amerikan. Me siguri mund të thuhet se Presidenca e tij ka lënë gjurmë të ndjeshme deri më tani, e megjithëse vendimet e tij mund të duken si të paparashikueshme, ato nuk duhet të habisin askënd. Kjo, sepse Donald Trump thjesht zbaton premtimet e tij elektorale, siç shkruan ai në Tëitter.

Por, nuk polarizojnë vetëm vendimet politike të Donald Trumpit. Edhe stili i tij politik është mjaft i kontestuar. Ai ka tendencë të thotë të pavërteta, e këtë e tregojnë edhe disa hulumtime të kryera.

Shtetet e Bashkuara – thonë analistët, – kanë pasur presidentë të vështirë dhe të rrezikshëm, si për shembull Richard Nixon dhe Lyndon Johnson. Por, askush nuk ka qenë kaq i paparashikueshëm sa Donald Trump. Ai është një president i pashembullt. Ai nuk i përshtatet asnjë modeli, ndryshe nga kushdo para tij.

Por, çfarë mund të presim nga pjesa e mbetur e mandatit të Donald Trump? Ndoshta një mandat të dytë? Për politologët një gjë është e qartë…Duhet të përgatitemi për më shumë paparashikueshmëri. Katër viteve – thonë ata, – mund t’iu mbijetojmë, por 8 vite mbase janë shumë…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA