Një valë e dytë stuhish të ashpra dimërore pritet të godasë gjatë fundjavës rajonet qendrore dhe verilindore të Shteteve të Bashkuara. Rreth 115 milionë banorë janë këshilluar të bëjnë kujdes prej luhatjeve ekstreme të motit.

Dëbora sipas meteorologëve, do të nisë mbrëmjen e së shtunës në Boston e New York për të kthyer më pas gjatë natës në shi të ngrirë e për të vazhduar kështu deri ditën tjetër.

New Yorku mund të ngrohet disi nga shiu paraditen e së dielës, thonë ekspertët, por darka mund të sjellë ulje temperaturash dhe ngrica. Guvernatori i tij Andrew Cuomo njoftoi se nga e shtuna vonë do të hyjë në fuqi vendimi për ndalimin e lëvizjes së mjeteve me rimorkio dhe autobusëve në pjesën më të madhe të autostradave.

Edhe trafiku ajror mund të preket të dielën, sepse siç raporton site-i FlightAware.com, gati 2000 fluturimeve që lidhen me aeroporte të brendshme mund të anulohen.

Reshje të dendura dëbore mund të ketë ndërkohë edhe në jug, ku me rrezikun e një përkeqësimi të ndjeshëm të kushteve atmosferike, përballen rreth 10 milionë vetë, ndërsa nuk përjashtohet dhe mundësia e tornadove, ndonëse ato pritet të jenë të izoluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA