Pas një supersuksesi në “The Voice Kids 2” çdo gjë është gati për një spektakël plot me emocion, risi dhe ide në “The Voice Kids 3”.
Sipari çelet këtë të premte.
Drejtori artistik Alban Male shprehet: “Sot fillojmë me “Blind Audition 1”. Jemi përgatitur gjatë. Do të jetë një edicion i suksesshëm si ai që patëm dhe vjet. Kemi prurje shumë të mira. Kryesisht edhe nga Kosova. Besoj që do të jetë një edicion edhe ky goxha i suksesshëm”.
Tashmë, publiku është njohur edhe me dy të rejat më të rëndësishme të këtij edicioni.
“E para është që Dojna Mema do të jetë prezantuese e “The Voice Kids”, pasi stafetën e la Ledioni dhe më pas kemi edhe një prurje të re në karrigen e trajnerëve, e cila do të jetë Arilena Ara”, tha Male.
Veç Arilenës që do të ulet për herë të parë në karrigen e kuqe, Miriam Cani, fituesja në fuqi, bashkë me Aleksandër dhe Renis Gjokën, të cilët janë në karrigen dyshe, do të përzgjedhin konkurrentët. 6 javë njëra pas tjetrës do të shfaqen Audicionet e Fshehura, ku vetëm 54 fëmijë do të arrijnë të bëhen pjesë e spektaklit.
3 skuadrat do të kenë nga 18 artistë, të cilët do të përballen me njëri-tjetrin në 3 episodet e Betejave. Vetëm 6 më të mirët e secilës skuadër do të mund të prekin Netët Finale.
“Deri diku në mes të Prillit do të jemi me The Voice Kids. Mendoj që duhet të bëjmë një thirrje që të na ndjekin njerëzit, sepse është një edicion i suksesshëm. Vetëm pas pak në ekranin e Top Channel, edicioni i tretë e The Voice Kids, na ndiqni”, theksoi Male.
Top Channel