24 orët e fundit janë dominuar nga “ping-pongu” i qëndrimeve president-kryeministër për çështjen e mosdekretimit të Genti Cakajt në postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës e mendon të papërshtashme këtë kandidaturë, madje ka renditur një sërë argumentesh kushtetues për të rrëzuar kandidaturën e Cakajt, ndërsa Rama i ka cilësuar skandaloze dhe turpëruese këto argumente të Metës.

Presidenti reagoi sërish, duke theksuar se askush nuk mund ta kërcënonte dhe shantazhonte, ndërsa kryeministri u kundërpërgjigj duke shkruar në Twitter “Mos e merrni seriozisht Metën”, madje ironizoi se presidenti është në hall, ose ka interesa politike.

Rama tha se i ka dërguar Metës të gjitha argumentet shterruese pro kandidaturës së Genti Cakajt, që duhet thënë se është një shtetas kosovar që ka marrë para pak kohësh edhe shtetësinë shqiptare.

Për të komentuar këtë situatë, i ftuari në studion e “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti aktual i PD-së, Tritan Shehu.

Në këtë betejë midis Ramës dhe Metës a është gjithçka kushtetuese, apo ka edhe diçka politike brenda?

“Nuk është e lehtë të ndash politiken nga kushtetuesja, sepse edhe Kushtetuta bazohet mbi disa koncepte politike dhe krijon edhe hapësira politike. Ndërsa si problem i të drejtës kushtetuese, këtë gjykim duhej ta bënte Gjykata Kushtetuese. Unë jam politikan dhe mendimin tim e kam dhënë shumë kohë më parë, më 3 janar, kur thashë se nëse Presidenti i Republikës nuk do të dekretonte kandidaturën për ministër të Jashtëm, do të ishte e bazuar nga ana e tij. Kështu e kam gjykuar dhe e gjykoj në aspektin kushtetues, politik, atë të mbrojtjes së interesave tona kombëtare”, tha Shehu.

Presidenti sot në fakt ka avancuar më tej, duke kërkuar edhe një hetim administrativ në lidhje me procedurën që është ndjekur për zotin Cakaj, për certifikatën e sigurisë që duhej të kishte ai në fakt gjatë kohës që ka qenë zv.ministër i Punëve të Jashtme. Ai ka kërkuar një hetim parlamentar, si institucioni i pavarur, pasi mendon se nuk mund të kryhet nga institucionet në varësinë e kryeministrit kjo procedurë.

A mos po shkojmë në një konflikt institucional, që po prodhon pasoja edhe më të paparashikueshme?

“Nuk kemi aspak arsye të druhemi nga dalja e së vërtetës, nga transparenca dhe hetimi. Këtu ka vend për të hetuar dhe, po të lexosh pjesën e dytë të dokumentit të presidentit, bazohet mbi aspektet e shkeljes së formalizmit, elementëve që lidhen me respektimin e legjislacionit dhe rregullave shumë strikte që janë për ata që punojnë në këto detyra dhe që duhet të kenë nivele të larta sigurie. Unë e konsideroj krejt normale që të thellohet në këtë drejtim me institucionet përkatëse, Parlamentin e Shqipërisë dhe kush do të ngarkohet, për të parë përse kanë lindur këto shkelje kaq të mëdha në procese të sigurisë, apo përse u tejkaluan ligjet e procedurat për të dhënë një certifikatë sigurie, në një kohë rekord, dikujt”, u shpreh më tej Shehu.

Pse kryeministri përpiqet ta paraqesë gjithçka që presidenti pretendon si artificë politike, me nënkuptimin se po kërkon t’i japë përfitime opozitës, apo qëndrimeve antiqeveritare?

“S’dua të hyj në këtë debat, por dua të them se, padyshim kjo është një kandidaturë e investuar nga kryeministri. Unë nuk e njoh fare zotin Cakaj. E investuar prej kryeministrit, e mbrojtur prej tij, e sponsorizuar – siç kemi parë në ekranet televizive, – nga të tjerë që janë edhe jashtë Shqipërisë, për një qëllim të caktuar”, tha Shehu.

Cili është ky qëllim, sipas jush, sepse të thuash të caktuara është evazive?

“Për qëllime të caktuara politike. Unë e shoh në suazën e përgjithshme të kandidaturave që paraqiten për qeverinë e re. Njerëz të panjohur, pa staturë që vihen edhe shtyhen për të luajtur rolin e pupacit. Pra për të mos pasur personalitetin e atyre që duhet të kenë anëtarët e qeverisë. Në këtë prizëm e shoh në një sens këtë kandidaturë. Nga ana tjetër, padyshim që kjo kandidaturë për mendimin tim është e lidhur, apo sinkronizon me një proces të rrezikshëm që ka shpërthyer kohët e fundit, apo që po tenton të shpërthejë kohët e fundit në rajon, që është ai i ndryshimit të kufijve apo i copëzimit të Kosovës, me korrelacion ndryshimin e kufijve në tërësi dhe që e ka zanafillën në idetë e vjetra të Beogradit, të ‘Serbisë së madhe’ dhe marrjes së territoreve të Kosovës nga Serbia”, tha Tritan Shehu.

Po aludoni për një tradhti kombëtare të kryeministrit, e kjo është e rëndë…?

“Unë aludoj për prekje dhe për cënim të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Aludoj, sepse realisht në këtë mënyrë i është hapur rruga dhe po kërkohet të shtyhet përpara një teori apo strategji, e cila e ka qendrën e saj në Beograd dhe që prek rëndë interesat tona”, tha Shehu.

Përse duhej ta bënte Rama këtë lloj politike antikombëtare, kur mbrojti fort interesat e Shqipërisë në raport me Greqinë, në paktin e parealizuar?

“Në lidhje me Greqinë, unë do të jap një përgjigje shumë të shkurtër. Ishte kjo qeverisje, kjo Rilindje, ky kryeministër dhe ai ministër i Jashtëm (Bushati), të cilët në mënyrë arbitrare, të qëllimtë – siç e kanë thënë edhe vet pranë “Anadolu Agency”, – shkatërruan marrëdhëniet shumë të mira që ishin deri në vitin 2013 me Greqinë”, tha Shehu.

Kotzias foli me superlativa për zotin Bushati…

“Sesi flet Kotzias, është puna e tij. Unë jap mendimet e mia. Shkatërruan në mënyrë të qëllimshme marrëdhënien me Greqinë, duke vështirësuar pozicionet e Shqipërisë në rajon. Pastaj, nga ky aventurizëm absurd politik që bënë, duke shkatërruar marrëdhëniet, u detyruan të rregullojnë marrëdhëniet, ra në rolin e kapitullantit ndaj Greqisë. Kaluan nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Kështu është politika kur nuk je koherent, racional, kur kërkon të bësh cubin në një moment dhe kapitullantin në momentin tjetër”, deklaroi Shehu.

A po krijojmë ne një konflikt politik, institucional, që po e eksportojmë ndoshta edhe në Prishtinë, e më pas, si pasojë e këtij konflikti po përfiton Serbia?

“Mendoj se ky konflikt është krijuar në Beograd, me teoritë e Beogradit për të ndryshuar kufijtë, për të copëzuar Kosovën. Është krijuar atëherë kur ne si Shqipëri, në mënyrën më absurde në këto 5 vite të Rilindjes, humbëm rolin e liderit në Ballkan për stabilitetin e rajonit dhe ia kaluam këtë rol Serbisë, duke i dhënë mundësinë të krijojë të tjera gjellë konfliktuale, që dëmtojnë rëndë interesat e Shqipërisë, shqiptarëve, rajonit dhe procesin integrues të Ballkanit Perëndimor. Ky konflikt është krijuar atje. Ata që duan ta mbartin e ta shpërndajnë në vendet tona kanë përgjegjësinë e tyre. Ne duhet të përgjigjemi duke thënë Jo, të tilla gjëra nuk pranohen. Ne kemi strategjinë tonë dhe parimin tonë të moscënimit të kufijve, që kufijtë duhet të vlerësohen çdo ditë në procesin e integrimit europian për t’u zeruar kur të gjithë bashkë të jemi pjesë e BE-së”, deklaroi Shehu.

Nuk ka një qëndrim konkret të kryeministrit Rama për ndarje kufijsh, ose për çështjen e kufijve me Kosovën. Ai ka mbajtur një qëndrim të barazlarguar nga kjo çështje, duke qenë pritës.

“Unë mendoj se duhej të kishte një qëndrim shumë të qartë, sepse kjo është strategjia e Shqipërisë dhe e Kushtetutës shqiptare në preambulën e saj. Së dyti, insinuatat kanë qenë të ndryshme nga këto që thoni ju. Së treti, pavarësisht nga problemet e mëdha, për mua shkatërruese të politikës së jashtme shqiptare në këtë periudhë, ku përgjegjësi të madhe ka ministri aktual i Jashtëm, zoti Bushati, ai u shpreh në fund të shtatorit se ishte kundër ndryshimit të kufijve, sepse kjo krijon një problem, një hapje ‘kutie Pandore’ shumë të rrezikshme dhe është e drejtë. Ndoshta për këtë arsye pagoi edhe çmimin e largimit”, tha Shehu.

Në fakt për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, Shqipërisë e Serbisë, ka edhe disa faktorë të tjerë madhorë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian. Nuk mund të jetë kaq e thjeshtë kjo çështje, që të variojë nga një personazh, qoftë ky edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Duket naive në këtë këndvështrim…

“Jam absolutisht dakord. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë kryesor, mbrojtësi më i madh i interesave kombëtare shqiptare, e kanë qenë edhe një nga shkaqet kryesore të arritjes së sukseseve të mahnitshme që kanë arritur shqiptarët në këtë 25-vjeçar. Ashtu sikurse edhe vendet kryesore të Bashkimit Europian. Por, kur ne si shqiptarë, me gjuhën tonë shqip, përsërisim dhe transmetojmë çorbën e përgatitur në Beograd, atëherë padyshim që çorientojmë dhe vëmë në pozitë të vështirë edhe partnerët tanë më të mirë”, tha më tej Shehu.

A keni fakte konkrete për pretendimin se “çorba” është përgatitur në Beograd? Pse thoni ju që zoti Cakaj lidhet me një skenar të përgatitur në Beograd?

“Propozimi për ndryshimin e kufijve, shëmbimin e territoreve dhe krijimin e ‘Serbisë së madhe’ është një teori disavjeçare e Serbisë, të cilët kanë bërë presion edhe ndaj zotit Berisha, i kanë kërkuar ta pranojë edhe zoti Berisha kur ka qenë me funksione të larta në Shqipëri, por që gjithmonë kanë marrë një përgjigje negative nga ne. Kjo dihet qartësisht, lexo çdo libër dhe propozimet e Beogradit, kjo shkon me ata. Për zotin Cakaj, të cilin e thashë që nuk e njoh fare, duke dëgjuar prononcimet e tij në lidhje me konceptin e ndryshimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, e më tej në Ballkan, padyshim janë koncepte të rrezikshme që sinkronizojnë me gjellën e Beogradit. Duke parë edhe dje se kush janë sponsorizuesit e tij të vërtetë, bindesh edhe më shumë për këtë gjë”, tha Shehu.

A do të jetë sërish zoti Cakaj, emri i propozuar nga kryeministri Rama për ministër të Jashtëm, pavarësisht refuzimit të zotit Meta në këtë betejë institucionale?

“Mendoj dhe gjykoj se vendimi i Presidentit të Republikës është ezaurues, për problemet që ngre, për çështjet që ngre, për lidhjet e këtyre çështjeve me sigurinë kombëtare shqiptare, padyshim është ezaurues dhe ky është një kapitull i mbyllur. Nuk mundet dhe nuk lë shteg në mënyrë absolute për një ripërsëritje të kërkesës te Presidenti për këtë kandidaturë”, komentoi Shehu.

Rama ka këmbëngulur në fakt, duke thënë se i ka dërguar Presidentit të gjitha argumentet shterruese për kandidaturën në fjalë.

“Përgjigjja e Presidentit ishte krejt shterruese dhe ezauruese, duke mos i lënë shteg qoftë nga ana e parimit të interesit kombëtar, pasi presidenti e ka për detyrë të jetë ‘gardian’ i saj, qoftë për problemet e tjera teknike dhe formale. Absolutisht i mbyllet shtegu çdo tentative të re për këtë kandidaturë, kjo është e qartë dhe e sigurtë. Nuk duhet të ndodhë në mënyrë absolute në Shqipëri, megjithëse këtu te ne ndodhin shumë gjëra”, tha Shehu.

Çfarë rruge duhet të ndjekë kryeministri Rama pas kësaj?

“Në këtë situatë, në çdo vend demokratik dhe me ndërgjegje do të kishte vetëm një lëvizje: dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, sepse i ra ministri i Jashtëm i sponsorizuar prej tij, i mbështetur prej tij me kaq forcë, e padyshim me akuza të tilla e probleme të tilla që u ngritën, që lidhen me sigurinë kombëtare, me interesat kombëtare. Kryeministri ka vetëm një rrugë, dorëheqjen!”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA