Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka ngritur aktpadi ndaj një juristeje Ruse me lidhje me Kremlinin e cila ishte takuar me djalin e madh të Presidentit Donald Trump dhe pjesëtarë të tjerë të fushatës së tij para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Akuzat përfshijnë përpjeke për pengim të drejtësisë, në çështjen që evidenton lidhjet e saj me qeverinë ruse, pavarësisht mohimit të saj të vazhdueshëm.

Natalia Veselnitskaya, e cila mendohet se ndodhet në Rusi, akuzohet për bashkëpunim të fshehtë me një prokuror në Moskë, për hartimin e një deklarate të rreme në lidhje me një firme ruse, ndaj së cilës qeveria amerikane kishte ngritur akuza për pastrim parash.

Juristja 43-vjeçare u vu në qendër të vëmendjes në vitin 2017, kur u zbulua se kishte patur një takim sekret me djalin e Presidentit, Donald Trump Jr, dhëndrin e tij Jared Kushner, dhe me ish menaxherin e fushatës Paul Manafort, në Kullën Trump në qershor të vitit 2016.

Top Channel