Bosi i “Amazon”, Jeff Bezos, dhe bashkëshortja e tij, MacKenzie, do të divorcohen pas një martese 25-vjeçare. Çifti e ka njoftuar lëvizjen në një deklaratë të përbashkët, të mërkurën, në Twitter.

“Pas një periudhe të gjatë së bashku, kemi vendosur të divorcohemi dhe të vazhdojmë jetën si miq”, tha çifti në një deklaratë.

“Amazon”, e krijuar 25 vite më parë, eklipsoi këtë javë “Microsoft”-in, duke u bërë kompania më me vlerë në treg.

  “Amazon” parakalon “Microsoft”-in dhe “Apple” për herë të parë

Themelues i kompanisë Jeff Bezos, 54 vjeç, është edhe njeriu më i pasur në botë, sipas indeksit të miliarderëve të “Bloomberg”, me një pasuri që vlerësohet të jetë rreth 137 miliardë dollarë, 45 miliardë më shumë sesa ajo e Bill Gates.

48-vjeçarja MacKenzie Bezos është një noveliste, autore e disa librave.

“Ne ndihemi pafundësisht me fat që kemi gjetur njëri-tjetrin dhe thellësisht mirënjohës për të gjithë kohën që kemi qëndruar bashkë”, thuhej në deklaratën e çiftit. “Nëse do ta dinim se do të ndaheshim pas 25 vitesh, sërish do të bënim të njëjtën gjë. Kemi pasur një jetë të mrekullueshme si një çift i martuar, e shohim po ashtu një të ardhme të mrekullueshme përpara si prindër, miq, partnerë në sipërmarrje e projekte, dhe si individë. Edhe pse mbiemrat mund të jenë të ndryshëm, ne mbetemi një familje, mbetemi miq të mirë”, vijon deklarata.

Çifti ka 4 fëmijë, një prej tyre i adoptuar. “Amazon” është vlerësuar se kapi shifrën e 797 miliardë dollarëve, të hënën, me një rritje prej 3.4 për qind, duke lënë pas “Microsoft”-in, që vlerësohet me 789 miliardë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA