Në humbjen e dyte radhazi brenda pak ditësh në Parlamentin britanik, kryeministrja Theresa May do të duhet që brenda 3 ditësh të paraqesë një “plan të ri B” nëse marrëveshja e tërheqjes së Britanisë nga Bashkimi Europian nuk miratohet, siç pritet, gjatë votimit të së martës së ardhshme.

Ishin votat e deputetëve rebelë të partisë së saj konservatore, që bashkuan forcat me Partinë Laburistë të opozitës, për t’i dhënë goditjen më të fundit kryeministres.

Ky votim hap derën – sipas analistëve, – edhe për alternativa të tjera, siç është ajo e një refendumi të dytë për “Brexit”-in. Qeveria humbi me 11 vota në këtë votim.

Nga 21 ditë, që pritej të kishte afat qeveria, tanimë do të jenë vetëm 3 të tilla në dispozicion, nëse refuzohet plani i divorcit të Britanisë, i miratuar me BE-në nga kryeministrja Theresa May.

Besohet se votimi i sotëm në Parlametin britanik do të ketë implikime të mëdha në procesin e “Brexit”-it. Ndër opsionet e mundshme janë një dalje pa marrëveshje, por e menaxhuar; një referendum i dytë përmes asaj që njihet si “opsioni i Norvegjisë”; ose një version i përmirësuar i marrëveshjes aktuale me udhëheqësit e BE-së, të cilët janë shprehur deri më tani se nuk kanë çfarë të negociojnë më shumë sesa kaq me Londrën.

Nëse ky është thjesht një “poker” politik, kjo do të mësohet maksimumi brenda javës së ardhshme.

Top Channel