Kongresistja demokrate në Shtetet e Bashkuara, Alexandria Ocasio-Cortez ka sulmuar së fundmi presidentin e SHBA, Donald Trump, duke thënë se nuk ka “asnjë dyshim se ai është racist”.

Në një intervistë për CBS News, Ocasio-Cortez e bazoi pretendimin mbi fjalët që përdor presidenti, e që, sipas saj, reflektojnë mbi “supremacinë e bardhë”.

“Kur shihni se si ka reaguar ndaj incidentit në Sharllotsvill, ku një neo-nazist ka vrarë një grua, kundrejt mënyrës se si krijon kriza, si ato me emigrantët që kërkojnë strehim legal në kufijtë tanë, është si dita me natën”, tha Ocasio-Cortez.

Ajo ka marrë detyrën javën e kaluar si kongresistja më e re amerikane në histori, por Ocasio-Cortez nuk nguroi ta quante Trumpin “simptomë të problemit”.

“Presidenti sigurisht që nuk e ka shpikur racizmin, por sigurisht i ka dhënë zë atij, e ka zgjeruar atë dhe ka krijuar një platformë për ato gjëra”, tha Ocasio-Cortez.

Në një deklaratë për CBS, Shtëpia e Bardhë tha se “injoranca e saj në këtë çështje nuk mund të mbulojë faktin që presidenti Trump ka mbështetur dhe miratuar reformën historike në drejtësi” dhe “ka dënuar në mënyrë të përsëritur racizmin dhe fanatizmin në të gjitha format”.

Top Channel