Presidenti i Turqisë ka refuzuar me forcë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vendi i tij të mbrojë luftëtarët kurdë në Siri. Recep Tayyip Erdogan tha se, deklarata të tilla të bëra nga këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, janë të papranueshme.

“Nuk është e mundur të pranosh apo gëlltitësh mesazhin, që Bolton dha nga Izraeli”, tha Erdogan.

Bolton ndodhet në Turqi për të kërkuar garanci se, kurdët që luftojnë Shtetin Islamik në veri të Sirisë do të jenë të sigurtë pas tërheqjes së planifikuar nga SHBA.

  Kurdët mbeten pa mbrojtje, Bolton në Turqi për të qetësuar situatën

Turqia i konsideron milicitë kurde “YPG”, që luftojnë kundër militantëve të ISIS-it, si terroristë.

Gjatë fundjavës, në fillim të turneut të tij në Izrael dhe Turqi, Bolton tha se tërheqja varet në disa kushte. Shtetet e Bashkuara duhet të garantojnë që luftëtarët kurdë janë të sigurtë dhe se, ajo çfarë ka mbetur nga Shteti Islamik do të mundet.

Siguria e kurdëve, në fakt pritet t’i tensionojë bisedimet në Ankara. Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, tha se Ankaraja pret që të gjitha armët që u janë dhënë kurdëve nga SHBA të konfiskohen.

“Askush nuk duhet të presë nga Turqia që të japë garanci për një organizatë terroriste, apo të legjitimojë përpjekjet për ta pastruar atë”, tha Ibrahim Kalin, zëdhënës i Erdoganit.

Sipas Erdoganit, Turqia do të bëjë çfarë të mundet për të eliminuar terroristët, e një operacion në zonën e kontrolluar nga kurdët në Sirinë veriore do të nisë së shpejti.

Ankaraja i konsideron kurdët e “YPG”-së një kërcënim për sigurinë kombëtare. Por, Uashingtoni do të zbusë shqetësimet e kurdëve për kërcënimin turk, në mënyrë që ata të mos ndihen të detyruar të kthejnë sytë nga Rusia.

Top Channel