Kisha Ortodokse e sapokrijuar e Ukrainës mbajti meshën e parë të saj në Kiev, të hënën, pas shkëputjes historike me Kishën Ortodokse ruse, që zemëroi jo pak Moskën.

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko mori pjesë në meshën e mbajtur në kishën më të lashtë të Kievit, Katedralen e Shën Sofisë të shekullit të XI, ndërsa besimtarët ortodoksë ukrainas festonin ditën e Krishtlindjes.

Mesha erdhi një ditë pasi Patriarku ortodoks Bartolomeu, me qendër në Stamboll, nënshkroi një dekret formal që finalizoi njohjen e Kishës së re ukrainase.

“Ne shkëputëm edhe litarin e fundit që na mbante të lidhur me Moskën dhe me fantazitë e saj për një Ukrainë si territor satelit i Kishës Ortodokse ruse”, tha Poroshenko.

Klerikët u treguan besimtarëve në katedrale dekretin që vulosi formalisht ndarjen. Metropolitani Jepifani, kreu 39-vjeçar i Kishës së re ukrainase, udhëhoqi meshën që ai e quajti një ngjarje me të vërtetë historike.

Shefi i Kishës Ortodokse ruse, Patriarku Kiril majti më herët gjatë së hënës meshën e Krishtlindjes në Kishën e Krishtit shpëtimtar në Moskë, ndërsa presidenti Vladimir Putin mori pjesë në një meshë në qytetin e tij të lindjes, Shën Pjetërburg.

Top Channel